Furkan Naci Top
02 nëntor 2017•Përditësim: 03 nëntor 2017
ATHINË (AA) - Furkan Naci Top
Një grup refugjatësh në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, po vazhdojnë me grevën e urisë, të cilën e kanë nisur pasi dëshirojnë të bashkohen me familjet e tyre në Gjermani, që janë të ndarë prej 2 vitesh, raporton Anadolu Agency (AA).
Pavarësisht motit të ftohtë refugjatët kalojnë natën në çadrat që kanë vendosur në sheshin Sintagma në qendër të qytetit përballë ndërtesës së parlamentit, dhe gjithashtu ata kanë vënë në dukje se do të vazhdojnë grevën e tyre të urisë deri në përgjigjen e qartë nga autoritetet. Refugjatët kundërshtojnë pritjen prej muajsh për procesin për bashkim familjar.
Siriani 56 vjeçar, Muhammed Salih, i cili 2 vite më parë ka mbërritur në Greqi me bashkëshorten e tij dhe një djalë, është shprehur se afërsisht 7 muaj më parë kanë marrë miratimin për bashkimin familjar, por sipas tij ende nuk janë bashkuar me familjet. Duke vënë në dukje se një djalë dhe 3 vajzat e tij ndodhen në Gjermani, Salih tha se "Gjysma jonë ndodhet këtu, ndërsa gjysma tjetër e familjes atje. Ne duam vetëm të drejtën tonë. Duam vetëm të bashkohemi dhe të bëhemi një familje. Kemi marrë miratimin e nevojshëm për të ikur në Gjermani. Edhe biletat tona ne i marrim, por kudo që shkojmë na thonë se duhet të presim, dhe të vijmë më pas. Ka shumë familje që janë në pritje".
Ndër të tjera Salih ka theksuar se janë të shqetësuar për fëmijët dhe ka shtuar më tej se "Dëshirojmë sa më parë që të bashkohemi. Ne kemi ardhur këtu sepse jemi larguar nga lufta dhe nuk ndodhemi këtu nga qejfi. Ne do të presim këtu deri kur të vijë ndonjë përfaqësues nga autoritetet dhe të na japë një përgjigje. Ne do të vazhdojmë grevën tonë të urisë", tha Salih, duke theksuar se tashmë i ka sosur durimi dhe nuk duan që të presin më shumë.
Ndërsa edhe nëna siriane 34 vjeçe, Hanadi Halo, e cila ka hyrë në grevën e urisë ka treguar se ndodhet në Greqi afërsisht prej 2 vitesh. Halo pasi ka bërë të ditur se prej muajsh nuk e ka parë bashkëshortin dhe djalin e saj, është shprehur se "Djali im sapo ka mbushur 13 vjeç dhe me ka marrë malli shumë. Qëndrimi i tij atje pa nënë, pa mua është, shumë i vështirë për të dy. Nuk e di përse nuk mund të largohemi nga këtu. Ne do të qëndrojmë këtu deri kur autoritetet të na kthejnë përgjigje. Do të vazhdojmë deri në fund edhe nëse është e nevojshme për të qëndruar në grevë urie."