Ivana Ramadanova
02 nëntor 2017•Përditësim: 02 nëntor 2017
SHKUP (AA) - Guvernatori i Bankës Popullore e Republikës së Maqedonisë (BPRM), Dimitar Bogov, sot mbajti një konferencë për shtyp në lidhje me rishikimin e rregullt të projeksioneve makroekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai shpjegoi se Banka Popullore këtë vit parashikon rritje të Prodhimit Vendor Bruto (PVB) prej 0,5 për qind, që paraqet projeksion në rënie krahasuar me atë të prillit të këtij viti, kur parashihej rritje prej 2,5 për qind, duke shtuar se kjo gjë ndodh për shkak të rezultateve negative të tremujorit të parë , por edhe për shkak të vazhdimit të trendit deri në tremujorin e tretë, gjegjësisht rënies së prodhimit industrial dhe ndërtimtarisë.
"Rreziqet në këtë raund të projeksioneve janë ulur në krahasim me ciklin e projeksioneve në muajin prill. Është shumë i rëndësishëm stabilizimi i mjedisit politik të brendshëm në vitin e ardhshëm, vazhdimi i fluksit të investimeve në produkte të orientuara nga eksporti dhe rritja e mëtutjeshme e eksporteve, rivendosja e besimit në sektorin privat, me çka ata përsëri do të fillonin të investojnë, dhe rritja e besimit të konsumatorit që konsumi privat të rritet më shpejt sesa vitin e kaluar", tha Bogov.
"Bazat e ekonomisë së Maqedonisë ende janë stabile dhe këtu nuk presim rënie. Lëvizja në sektorin e jashtëm është shumë stabil në këtë pikë dhe presim që ashtu të ngelet edhe në periudhën e ardhshme dyvjeçare, me deficite më të ulëta në bilancin e pagesave dhe e gjithë kjo të mundësojë mjedis stabil për politikën monetare", shtoi ai.
Bogov theksoi se beson se në tremujorin e katërt do të ketë tregues më të mirë ekonomikë, duke sqaruar se me rritjen e besimit në mesin e subjekteve vendase, do të rriten edhe shpenzimet e konsumatorëve.
Banka Popullore, siç tha Bogov, do të vazhdojë të monitorojë nga afër lëvizjet dhe, nëse është e nevojshme, të bëjë ndryshime të duhura në politikën monetare.