Bojana Stojanovic
23 Shkurt 2018•Përditësim: 24 Shkurt 2018
BEOGRAD (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, i ka propozuar homologut të tij nga Gambia, Usain Darboa, që vendi i tij të rishqyrtojë vendimin për njohjen e Kosovës, të cilin e mori Qeveria e kaluar, ndërsa Darboa tha se Gambia do të rishqyrtojë këtë çështje, porse doemos duhet të respektojë procedurat, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit të dy zyrtarëve në Beograd, Daçiç tha se e njoftoi Darboa-n me gjithçka që ka ndodhur gjatë viteve dhe dekadave të kaluara.
“E njoftova mysafirin tim se ai është një akt i njëanshëm i cili edhe më tej është objekt i të kuptuarit të ndryshëm dhe kontestimit, se ekzistojnë vende që kanë njohur Kosovën, porse ekzistojnë edhe shumë vende, si anëtarë të Këshillit të Sigurimit, dhe shumë vende tjera të mëdha dhe vende muslimane që nuk kanë njohur shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, si dhe shumë vende që kanë rishqyrtuar vendimin e tyre”, tha Daçiç, në konferencën e përbashkët për mediat në Beograd.
Ministri i Punëve të Jashtme i Gambia-s kësaj iu përgjigj se vendi i tij do të shqyrtojë çështjen e Kosovës dhe së shpejti mund të lajmërojë opinionin mbi vendimin, porse duhet të respektojnë procedurat. Megjithatë, ai shtoi se Gambia beson në shtete të bashkuara dhe është kundër ndarjes.