Zülfiya Yakup
04 Dhjetor 2018•Përditësim: 05 Dhjetor 2018
PRISHTINË (AA) – Mosnjohja e Kosovës është barriera më e madhe jo-tarifore në CEFTA, tha ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala në hapjen e "Javës së CEFTA-s" të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Shala rikujtoi se që nga viti 2007 Kosova zbaton marrëveshjen e CEFTA-s, por që tre vende të CEFTA-s nuk e njohin Kosovën, e cila është një pengesë e madhe për statusin e barabartë të Kosovës brenda marrëveshjes. Shala përmendi disa nga efektet negative të mosnjohjes së Kosovës.
“Përqindja e importeve të BE-së në të gjitha vendet e CEFTA-s përveç Kosovës është 60 për qind. Për Kosovën kjo përqindje është 40 për qind. Përqindja e eksporteve në BE për të gjitha vendet e CEFTA-s përveç Kosovës është 40 për qind, për Kosovën kjo për qindje është 20 për qind. Ju lutem tregoni se si ekonomia e Kosovës do të ishte konkurruese përderisa tregu i saj dominohet nga fqinjët të cilët nuk e njohin Kosovën”, tha Shala.
Ai gjithashtu pyeti se si Kosova të jetë e barabartë në tregun evropian në rrethana të tilla politike, të cilat bllokojnë eksportet nga Kosova. Sipas tij, Kosova ngriti çështjen e të gjitha pengesave që ka përpara CEFTA-s, por mekanizmat e saj nuk kanë arritur të zgjidhin asgjë.
"Mosnjohja e Kosovës është barriera më e madhe jo-tarifore në CEFTA dhe pengesa më e madhe për lehtësimin e transportit", tha Shala, duke shtuar se ai beson se dialogu politik rajonal do të kontribuojë në kapërcimin e problemeve ekzistuese.
Nga ana tjetër, kreu i njësisë së Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, David Cullen, tha se me këtë “Java e CEFTA-s” përfundon kryesimi vjetor i Kosovës me CEFTA-n, por vendosja e taksës prej 100 për qind nga Kosova për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ka hedhur në hije punën e CEFTA-s.
Ai thekson se për shkak të këtyre rrethanave, në "Javën e CEFTA-s" nuk marrin pjesë të gjitha vendet e CEFTA-s dhe vendimet nuk mund të merren në Komisionin e Përbashkët të CEFTA-s. Ai tha se masat e fundit të Kosovës janë kundër rregullave dhe parimeve të CEFTA-s dhe shtoi se vetë CEFTA është e gatshme të përgatisë një raport mbi të gjitha ankesat tregtare.
“Mosmarrëveshjet tregtare ndodhin dhe ne e kuptojmë se ekzistojnë barriera reale me të cilat përballet Kosova, por duhej të adresoheshin në forumet adekuate që përfshijnë edhe CEFTA-n. Mosmarrëveshja e fundit imponon nevojën e CEFTA-s për të vendosur masa që do të ofrojnë zgjidhje adekuate dhe masa që do të mbrojnë palët e CEFTA-s dhe masat që adresojnë pengesat jo-tarifore në të gjithë rajonin”, tha Cullen.