Sibel Vezaj
02 Dhjetor 2016•Përditësim: 03 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA)- Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore në dialogun e brukselit sot ka përfunduar bisedimet treditore në Bruksel, ku u konfirmuan obligimet finale zbatuese për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se ky proces u përmbyll me sukses me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me të cilin u konfirmua se në bazë të marrëveshjes për telekomin ashtu siç është paraparë me planin për zbatim për telekomin, Organizata Ndërkombëtare për Telekomunikacion e OKB-së (ITU) do t’ ia ndaj Kosovës kodin telefonik 383 më datë 15 dhjetor 2016.
Duke vënë në dukje se Kosova për herë të parë në histori do ta ketë kodin telefonik shtetëror, ministrja Edita Tahiri theksoi se me marrjen e këtij kodi Republika e Kosovës e fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit dhe përmes kësaj do të njihet subjektiviteti i saj si shtet në fushën e telekomunikacionit nga bashkësia ndërkombëtare.
“Republika e Kosovës është pronare e kodit telefonik 383 dhe Kosova do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administrojë me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet e tjera. Në këtë kuadër Kosova do të bashkëpunojë me ITU-në për zbatimin teknik të kodit telefonik. Kosova më në fund do ta ketë kodin e vet telefonik, ndërsa të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 do të shuhen”, ka thënë Tahiri.
Ministrja Tahiri gjithashtu theksoi se do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe rikonfirmoi se të gjitha thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.
Ndërkaq në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se gjatë këtyre bisedimeve pala serbe konfirmoi se letra që Serbia do të ia dërgojë ITU-së ku shpreh pajtimin për kodin telefonik për Kosovën do të realizohet në afatin e parashikuar.
“Delegacionet e dyja shteteve konfirmuan para BE-së se këto dokumente janë në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit për telekomin dhe planin aksional", thuhet në njoftim.
Së fundi ministrja Tahiri ka falënderuar Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin efektiv të kësaj marrëveshje për telekomin, duke theksuar se ky proces po dëshmon suksesin e radhës së dialogut të Brukselit.