Fatjon Cuka
25 tetor 2015•Përditësim: 26 tetor 2015
TIRANË (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditën e sotme ka qëndruar në Bruksel për të marrë pjesë në një takim të të gjithë liderëve të Ballkanit dhe Europës Juglindore të organizuar nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, që ka si temë qendrore krizën e refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Para fillimit të samitit, Rama ka mbajtur një prononcim të shkurtër për mediat, ku ka deklaruar se besohet se me ardhjen e dimrit, ekziston mundësia për refugjatët për një rrugë të re të devijuar drejt Shqipërisë.
“Shqipëria nuk është e prekur ende. Besohet se me ardhjen e dimrit, ekziston mundësia për një rrugë të re të devijuar drejt Shqipërisë. Por gjithsesi, arsyeja se pse ne jemi këtu ka të bëjë me domosdoshmërinë për tu koordinuar në nivel rajonal dhe evropian. Padyshim, edhe Shqipëria ka rolin e saj në këtë moment kaq delikat dhe kaq të rëndësishëm për atë që jemi dhe për atë që do të jemi nesër të gjithë së bashku, si evropianë”.