Barış Gündoğan
21 Tetor 2022•Përditësim: 21 Tetor 2022
Shërbimi Inteligjent turk (MIT), në një operacion në veri të Irakut arrestoi Burhan Piçak, kreun e njësisë për atentate të organizatës terroriste PKK/KCK dhe e solli në Türkiye, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve nga burime të sigurisë, MIT solli në Türkiye terroristin Piçak, me emrin e koduar "Canser-Laser", i cili vepronte në rajonin Sinxhar, ku njihej si i ashtuquajtur komandant i njësisë për atentate.
Piçak kishte kaluar në Siri nga qarku Lice i Diyarbakirit në vitin 2015 dhe i është bashkangjitur terroristëve të PKK-YPG-së dhe ka kryer trajnime në kampet e YPG-së në Siri.
Ai ishte përgjegjës për kryerjen e aktiviteteve terroriste në të ashtuquajturin batalion operacional të organizatës në zonën e operacionit "Burimi i Paqes", i kryer në vitin 2019 në veri të Sirisë. Më vonë ai mori postin e komandantit në rajonin Sinxhar në qytetin irakian, Mosul.
PKK është organizatë separatiste e listuar si grup terrorist në Türkiye, Bashkimin Evropian dhe SHBA. Gjatë fushatës terroriste disa dekadashe kundër Türkiye-s, terroristët e PKK-së vranë të paktën 40 mijë njerëz.