Ferdi Türkten
14 Shkurt 2019•Përditësim: 14 Shkurt 2019
SOÇI (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, arriti në qytetin rus Soçi për të marrë pjesë në samitin e radhës trepalësh me Rusinë dhe Iranin për të diskutuar për zgjidhjen e krizës në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan gjatë vizitës në Rusi shoqërohet nga bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Thesarit dhe Financave Berat Albayrak, shefi i inteligjencës turke MIT, Hakan Fidan, shefi i Komunikimeve i Presidencës Fahrettin Altun dhe zëdhënësi presidencial Ibrahim Kalın.
Presidenti Erdoğan në kuadër të vizitës së tij në Soçi do të marrë pjesë në Samitin e Katërt Trepalësh me temë Sirinë ku do të marrin pjesë edhe presidentët e Rusisë dhe Iranit, Vladimir Putin dhe Hasan Ruhani.
Në samit do të shqyrtohen përpjekjet e përbashkëta të platformës së Astanas në terren dhe pocesin politik për të gjetur zgjidhje të përhershme për konfliktin sirian.
Erdoğan gjatë samitit do të zhvillojë edhe takime bilaterale me homologët e tij, ku përveç marrëdhënieve me Rusinë dhe Iranin, do të trajtohen edhe çështjet rajonale.