Selçuk Buğra Gökalp
05 shtator 2023•Përditësim: 06 shtator 2023
Zheng Qinwen eliminoi Ons Jabeur në raundin e 4-të të US Open 2023 për femra, raporton Anadolu.
Kinezja 20-vjeçare mposhti tenisten e pestë të botës në sete, 6:2 dhe 6:4, duke arritur në çerekfinalet e saj të parë të US Open.
"Për momentin jam shumë e lumtur dhe e emocionuar që luaj në një stadium të madh dhe kisha një paraqitje vërtet të mirë", tha Zheng, duke lavdëruar kundërshtaren e saj: "Ons është një lojtare fantastike, me të vërtetë e vështirë për t'u mposhtur, dhe ajo ka shumë variacione në lojën e saj. Kjo ishte një fitore vërtet mbresëlënëse për mua sot".
Zheng dhe Coco Gauff janë dy lojtaret më të reja në Top 40, dhe të dyja kanë arritur në çerekfinalet e US Open 2023.
Zheng do të përballet me tenisten e dytë të botës, Aryna Sabalenka në çerekfinale.
Zverev eliminon Sinner në çerekfinale
Alexander Zverev eliminoi Jannik Sinner në raundin e katërt të US Open për meshkuj të martën.
Finalisti i US Open 2020 mundi tenistin e gjashtë në botë në dramë të vërtet që zgjati 4 orë e 41 minuta dhe përfundoi me rezultatin 6:4, 3:6, 6:2, 4:6 dhe 6:3 në sete.
"Mendoj se mund të them që jam kthyer", tha Zverev në intervistën e tij në teren, duke shtuar, "Kjo është pikërisht ajo për të cilën unë jetoj. Kjo është ajo që më pëlqen të bëj... duke luajtur në orën 1:30 të mëngjesit, para një turme të mbushur plot në stadiumin Arthur Ashe. Nuk bëhet më mirë. Ky është një nga momentet më të mira të karrierës sime".
Zverev do të përballet me spanjollin, numrin një të botës, Carlos Alcaraz në çerekfinale.