Fatjon Cuka
21 nëntor 2023•Përditësim: 21 nëntor 2023
Ndeshja e fundit kualifikuese Shqipëri-Ishujt Faroe, në kuadër të Kampionatit Evropian 2024, ka përfunduar pa gola, raporton Anadolu.
Ndeshja Shqipëri-Ishujt Faroe e luajtur në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë ka përfunduar 0-0, ndërkohë mijëra tifozë mbështetën ekipin kuqezi, duke shpalosur edhe flamurin gjigant të Shqipërisë.
Në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian EURO 2024, Kombëtarja e Shqipërisë ishte në Grupin E, së bashku me Poloninë, Republikën Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavinë dhe ka siguruar kryesimin e grupit me 15 pikë.
Kujtojmë se Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll siguroi pjesëmarrjen në finalet e Kampionatit Evropian 2024, me barazimin ndaj Moldavisë më 17 nëntor.
Për kualifikimin e Shqipërisë në EURO 2024, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka organizuar festime në stadium me këngë, valle dhe fishekzjarrë, ndërkohë tifozët kanë festuar edhe jashtë stadiumit.