Satuk Buğra Kutlugün
26 Maj 2019•Përditësim: 27 Maj 2019
Toronto Raptors avancoi në finalen e parë të tij ndonjëherë në Ligën Amerikane të Basketbollit (NBA) pasi në ndeshjen e gjashtë të finales në Konferencën Lindore eliminoi Milwaukee Bucks-in me rezultatin 100-94, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pavarësisht disavantazhit dyshifror në çerekun e tretë (61-76), Raptors arriti të rikthehet në lojë dhe të mposhtë Bucks-in për të fituar biletën e parë drejt finales në historinë e klubit.
Superylli i Raptors-it Kawhi Leonard shënoi 27 pikë, 17 kërcime dhe shtatë asistime.
Pascal Siakam shtoi 18 pikë, kurse Kyle Lowry shënoi 17 pikë në fitoren historike të Raptors-it, ndërkohë që Fred VanVleet prodhoi 14 pikë nga pankina, duke shënuar katër treshe nga pesë tentativa.
Në radhët e Bucks-it, Giannis Antetokounmpo shënoi 21 pikë dhe 11 kërcime, por pa arritur ta shpëtojë ekipin e tij nga eliminimi.
Në finalen e madhe, Toronto Raptors do të përballet me Golden State Warriors-in, i cili në finalen e Konferencës Perëndimore ka mposhtur Portland Trail Blazers-in me rezultatin e përgjithshëm 4-0, duke avancuar për herë të pestë me radhë në finale.