Hüseyin Eroğul
23 korrik 2017•Përditësim: 24 korrik 2017
STAMBOLL (AA) - Në garën Interkontinentale të notit në Bosfor të Stambollit e cila zhvillohet për të 29-ën herë nga Komiteti Olimpik Kombëtar i Turqisë (TMOK) nën sponsorizimin e Samsung Electronics në renditjen e përgjithshme nga meshkujt i pari është radhitur sportisti rus Evgeny Eliseev, ndërsa për femra Kristina Kochetkova, raporton Anadolu Agency (AA).
Gara e cila është zhvilluar në ngushticën e Bosforit në Stamboll ka nisur nga skela Kanlıca në pjesën e Anadollit dhe ka përfunduar në pjesën evropiane përballë parkut Kuruçeşme Cemil Topuzlu, ku gjithashtu bëhet e ditur se në garën prej afërsisht 6.5 kilometra kanë marrë pjesë 2.277 notarë meshkuj dhe femra nga 49 shtete.
Klasifikimet janë kryer në saje të një çipi të vendosur në këmbët e sportistëve, të cilët gjatë garës kanë qenë të shoqëruar nga mbetje të ndryshme detare me qëllim ndërhyrjen në ndonjë situatë problematike të mundshme.
Në garën e cila vitin e kaluar është zgjedhur "organizimi më i mirë botëror i notit në ambient të hapur" fituesit kanë dalë nga Rusia, ku në klasifikimin e përgjithshëm për meshkuj Eliseev, është renditur i pari me 50 minuta e 58 sekonda, ndërsa i dyti Doğukan Ulaç dhe i treti Erge Can Gezmiş.
Ndërsa për fermra e para është renditur Kochetkova, me 54 minuta e 57 sekonda, e dyta fituesja e vitit të kaluar Nilay Erkal dhe e treta Buse Topçu.
Medaljen dhe çmimet për tre sportistët e parë i ka dhënë ministri i Rinisë dhe Sporteve, Osman Aşkın Bak, Kryetari i Komitetit Olimpik Kombëtar të Turqisë Uğur Erdener dhe kryetari i Samsung Electronics të Turqisë Dae Hyun Kim.
Gjithashtu bëhet e ditur se edhe këtë vit ka notuar si sportisti më i vjetër i garës së ngushticës së Bosforit sportisti 87 vjeçar Levent Aksüt i cili që nga viti i parë i fillimit të garave e deri më tani ka marrë pjesë në çdo organizim.
Rezultatet e klasifikimeve të përgjithshme
Renditja e klasifikimit të përgjithshëm të garës për meshkuj dhe femra janë si në vijim:
Meshkuj:
1. Evgeny Eliseev (Rusi) 50.58
2. Doğukan Ulaç (Turqi) 52.21
3. Erge Can Gezmiş (Turqi) 52.23
Femra:
1. Kristina Kochetkova (Rusi) 54.57
2. Nilay Erkal (Turqi) 55.01
3. Buse Topçu (Turqi) 55.08
Ndërsa ministri Osman Aşkın Bak duke vënë në dukje se gara është "një sfidë" tha se "Kemi zhvilluar një organizim të mirë në një ditë të bukur. Kjo është gara e vetme mes dy kontinenteve. Është një garë që vitin e kaluar ka marrë çmim".
"Ky është vendi i një sfide ku njerëzit thonë 'unë kam notuar në ngushticën e Bosforit, kam kaluar nga Azia në Evropë'. Për këtë arsye ka një ‘sfidë‘. Ishte një garë e bukur ku edhe Samsung ishte sponsor për herë të pestë. Një garë ku kanë aplikuar dy mijë sportistë. Në këtë garë u krijua një atmosferë e këndshme ku njerëzit dalin nga uji me fytyra të qeshura duke realizuar një sfidë. Ngushtica është një perlë, një perlë e Stambollit dhe shumë e rëndësishme për Turqinë", tha ministri Bak.