Sibel Vezaj
15 Qershor 2016•Përditësim: 15 Qershor 2016
PRISHTINË (AA) - Pas takimit të djeshëm të qeverisë së Kosovës me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën, Samuel Zhbogar, dhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane në Kosovë është arritur marrëveshja për zgjatjen e mandatit të misionit të EULEX-it edhe për dy vite të tjera dhe sot pritet konfirmimi, pra letërkëmbimi nga Brukseli, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo u konfirmua në mbledhjen e qeverisë të mbajtur sot në Prishtinë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili u shpreh se pritet që sot ta marrin këmbimin e letrës nga Mogherini. Ai shtoi se do të mbahet edhe një takim i qeverisë pasdite dhe se nesër marrëveshja do t'i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.
Ndërkohë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se në marrëveshjen për vazhdimin e mandatit të EULEX-it është marrë parasysh kriteri që të shfrytëzohet në maksimum mundësia e institucioneve vendore për ta ushtruar sovranitetin e plotë në fushën e gjyqësisë dhe të prokurorisë.
Kuçi shtoi se pritet që nesër në seancën e rregullt të vazhdohet mandati i EULEX-it, ku do të ketë një ndryshim, pa cekur se cili është ai.