Kuvendi i Kosovës debaton mbi Platformën për Dialogun me Serbinë
"Parimi i parë është se Republika e Kosovës të sigurojë nga Republika e Serbisë një njohje përfundimtare dhe detyruese dhe një njohje të qartë të sovranitetit si shtet i pavarur", tha LimajZülfiya Yakup
07 Mars 2019•Përditësim: 07 Mars 2019
PrishtinëKuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme po shqyrton sot Platformën për dialog marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Njëri nga bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror, njëherësh nënkryetar i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj paraqiti para deputetëve Platformën, qëllimi i së cilës tha se është të vendosë parimet dhe qëndrimet kryesore të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.
Limaj tha se Platforma parasheh që statusi i Kosovës të jetë shtet i pavarur dhe sovran i shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010 dhe rrjedhë nga integriteti territorial i Kosovës, Kushtetuta dhe pakoja e Ahtisarit bashkë më burimet natyrore me karakter unitar të Kosovës, ku nuk mund të ketë një nivel tjetër autoriteti përveç atij qendror dhe lokal.
"Parimi i parë është se Republika e Kosovës të sigurojë nga Republika e Serbisë një njohje përfundimtare dhe detyruese dhe një njohje të qartë të sovranitetit si shtet i pavarur. Me ligj të ndalohen të gjitha aktivitetet që pengojnë Republikën e Kosovës në rrugën e njohjes ndërkombëtare si një shtet i pavarur dhe sovran. Nën b, të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Nën c, të heq dorë nga kundërshtimi apo ndikimi mbi një palë të tretë kur të aplikojmë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OSBE-në dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare", tha Limaj.
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Elmi Reçica tha se do të mbështesin platformën dhe se do të ofrojnë mbështetjen e tyre për të gjitha çështjet.
“PDK e ka shqyrtuar me vëmendje dhe e mbështet plotësisht, jo vetëm që e mbështet, por në kuadër të kësaj platforme do të kërkojë përgjegjësi nga delegacioni. Për herë të parë ne po diskutojmë për diçka para se të ndodh një çështje. Të gjitha janë të interesuar që kjo çështje të përmbyllet. Ne do të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme që kjo platformë të jetë e realizueshme në përpikëri”, tha ai.
Pas disa fjalimeve të deputetëve u dha një pauzë, ndërsa fillimi u vonua me dy orë nga shkaku i mungesës së deputetëve dhe filloi me kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për të ndryshuar axhendën dhe për të filluar një diskutim mbi Platformën për Dialogun.
Por, kjo u kundërshtua nga deputetët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat thanë se nuk janë mund të miratohet Plaltforma mbi dialogun para hartimit të projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Meqë vërejtjet e tyre nuk u morën parasysh, ata u larguan nga salla e Kuvendit.