Zülfiya Yakup
13 Nëntor 2016•Përditësim: 14 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore në dialogun e Brukselit ka deklaruar se sot është arritur marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kosova tashmë do ta ketë kodin telefonik shtetëror të saj që është 383 i cili do të alokohet nga ITU. Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Tahiri është shprehur se ky është një sukses i madh i dialogut të Brukselit dhe një lajm shumë i mirë për Kosovën.
“ITU do t'ja alokoj Kosovës kodin telefonik 383 më datën 15 dhjetor 2016. Shteti jonë do ta ketë kodin e vet telefonik sikur edhe shtetet tjera dhe do të ketë sovranitet të plotë për kodin e vet telefonik, ndërsa të gjitha kodet tjera që janë përdorur deri tani ( 381, 377, 386) do të largohen nga përdorimi”, tha ajo.
Më tej në njoftimin thuhet se, marrëveshja për kodin telefonik është arritur në saje të angazhimeve maksimale të Bashkimit Evropian, i cili ka qenë shumë aktiv në procesin e ndërmjetësimit për harmonizimin e konkluzioneve që saktësojnë obligimet zbatuese për marrëveshjen për kodin telefonik.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, siguroi se gjatë gjithë procesit të negociatave për telekomin që kanë zgjatur rreth gjashtë vite, delegacioni i Republikës së Kosovës i ka mbrojtur fuqishëm interesat e shtetit, ka mbrojtur marrëveshjen për telekom dhe planin aksional, që sipas saj janë në pajtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Republikës së Kosovës do t’i caktohet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) kodi shtetëror telefonik +383, i cili do të administrohet nga ARKEP dhe institucionet e Kosovës do të kenë përgjegjësinë për implementimin e tij.
Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Serbia obligohet t'i dërgoj letër ITU-së me të cilën pajtohet që ITU t'ja alokoj kodin telefonik Kosovës, dhe ky obligim duhet të realizohet më datën 3 dhjetor 2016.