Agon Fehmiu
19 Shkurt 2016•Përditësim: 19 Shkurt 2016
PRISHTINË (AA) – Ende pa filluar seanca e sotme parlamentare, është shënuar një incident ku dy persona, identiteti i të cilëve ende nuk është publikuar nga Policia e Kosovës, kanë qëlluar me vezë deputetin e “Vetëvendosjes”, Albin Kurtin, gjatë hyrjes së tij në Kuvend, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë rast, përveç se ka arrestuar këta dy persona. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje në një komunikatë për opinion ka akuzuar policinë se sulmi është kryer nga dy policë civil.
Ndërkohë, situata aktuale është e qetë edhe pse ka forca shumë të mëdha të Policisë së Kosovës përreth Kuvendit, ndërsa përpara tij janë mbledhur qindra qytetarë, përkrahës të opozitës, të cilët po protestojnë lidhur me mbajtjen e seancës së sotme.
Zyrtarisht, në seancën e sotme është parashikuar të shqyrtohen 21 pika të rendit të ditës, por opozita ka paralajmëruar se do ta ndërpresë atë.