Gözde Bayar
17 Prill 2020•Përditësim: 17 Prill 2020
Një grua 93-vjeçare në Turqi është shëruar nga koronavirusi i ri (COVID-19) i cili ka shkaktuar vdekjen e mijëra personave në botë që kur u shfaq në Kinë në muajin dhjetor të vitit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gruaja u pranua në një spital shtetëror në qytetin Nusaybin në provincën juglindore turke Mardin me simptoma të COVID-19.
Pasi rezultoi pozitive në testin e koronavirusit, filloi mjekimi i saj dhe ajo u lëshua sot nga spitali me duartrokitje.
Një tjetër pacient i moshës 63-vjeçare, i cili gjithashtu rezultoi pozitiv në testin e koronavirusit, u lirua nga spitali i njëjtë pas trajtimit 14-ditorë.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.
Turqia dje konfirmoi 125 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 1.643. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në vend është rritur në 74.193.
Bazuar në të dhënat nga Universiteti "Johns Hopkins" me qendër në SHBA, koronavirusi ka infektuar pothuajse 2.2 milionë njerëz, me rreth 146 mijë vdekje dhe rreth 551 mijë të shëruar.
Përkundër rritjes së numrit të rasteve të konfirmuara, shumica e njerëzve që infektohen me COVID-19 vuajnë nga simptoma të lehta para se të shërohen.