Beyza Binnur Dönmez
04 Maj 2020•Përditësim: 04 Maj 2020
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se Rusia dhe Kina po përfitojnë nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) për të çuar përpara interesat e tyre në Evropë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komentet e Esperit u bënë gjatë një interviste për të përditshmen italiane "La Stampa" kur u pyet nëse Pekini dhe Moska përfaqësojnë një rrezik sigurie duke dërguar ndihmë në një vend të NATO-s, si Italia.
"Ne qëndrojmë të ndërgjegjshëm që disa mund të kërkojnë të përdorin pandeminë dhe sfidat ekonomike që pasojnë me të cilat përballemi të gjithë, si një mundësi për të investuar në industri kritike dhe infrastrukturë, të cilat nga ana tjetër mund të ndikojnë në sigurinë afatgjate", tha Esper.
"Unë kam përsëritur se të gjitha ndihmat e ofruara nga secili vend duhet të jenë në materiale të vlefshme dhe pa kushtëzime dhe ndërhyrje", shtoi ai.
Esper theksoi se gjatë takimit virtual të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s javën e kaluar u riafirmua se "kundërshtarët e mundshëm pothuajse me siguri do të kërkojnë të shfrytëzojnë këtë situatë për të çuar përpara interesat e tyre dhe do të përpiqen të mbjellin ndarje në Aleancë dhe në Evropë".
"Së bashku me Aleatët tanë të NATO-s do të ndërmarrim hapa kuptimplotë për të siguruar që kriza shëndetësore të mos shndërrohet në një krizë sigurie", shtoi ai.
Esper përsëriti thirrjen e tij që Rusia dhe Kina të jenë transparente me informacionet gjatë pandemisë.
"Gjithashtu do të rekomandoja që donacionet e tyre për vendet e tjera të jenë të vlefshme dhe të vijnë pa kushtëzime", tha ai.
Kina dhe Rusia kanë dërguar pajisje mjekësore dhe personel në Itali, që është epiqendra e përhapjes së sëmundjes në Evropë.
Së fundmi, SHBA akuzoi Kinën për përhapjen e koronavirusit. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se SHBA ka "prova të mëdha" që tregojnë se pandemia e koronavirusit filloi në një laborator në Wuhan, Kinë, gjë që u mohua nga Pekini zyrtar.