Can Erözden
04 Maj 2020•Përditësim: 05 Maj 2020
Klubet profesioniste të futbollit në Spanjë do të fillojnë trajnimet këtë javë me lejen e qeverisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Klubet LaLiga Santander dhe LaLiga SmarBank stërviten përsëri këtë javë", tha La Liga në një deklaratë të publikuar në faqen e saj të internetit.
La Liga tha se Ministria spanjolle e Shëndetësisë u dha klubeve leje të kthehen në stërvitje në dy divizionet kryesore.
"Në përputhje me Protokollin e Kthimit në Trajnim që LaLiga ka hartuar me ekspertë mjekësorë, fillon trajnimi vetëm për lojtarët profesionistë nga LaLiga Santander dhe LaLiga SmartBank, pas një ekzaminimi mjekësor nga shërbimet e klubit", tha La Liga.
LaLiga Santander është divizioni kryesor i futbollit në Spanjë dhe LaLiga SmartBank është divizioni i dytë.
Në muajin mars, ndeshjet e La Ligës u ndaluan për një periudhë të pacaktuar, në mes të shpërthimit të pandemisë COVID-19, por qeveria së fundmi njoftoi kufizime të lehtësuara pasi rreziku i virusit po pakësohet.
Spanja të hënën raportoi 164 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e çuar në 25.428 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e shpalli pandemi globale.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të prekurve nga pandemia ka tejkaluar shifrën 3.55 milionë, me rreth 248 mijë të vdekur dhe mbi 1.13 milion të shëruar.