Zülfiya Yakup
04 Maj 2016•Përditësim: 04 Maj 2016
PRISHTINË (AA) – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot në Prishtinë me ambasadorët e akredituar të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në vend dhe me përfaqësuesin special të BE-së për Kosovën, Smauel Zhbogar, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi ka pohuar se pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA, qytetarët e Kosovës presin edhe një lajm të mirë për rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, i cili, sipas tij, pritet me padurim.
Thaçi falënderoi përfaqësuesit e BE-së për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet kosovare në fuqizimin e shtetit të Kosovës.
Ai vlerësoi se Kosova ka ligjet më të avancuara dhe porositi se nuk do të lejojë që askush t’i ikë drejtësisë. “Si president do të inkurajojë nismën e amandamentimit të ligjeve ekzistuese apo hartimit të ligjeve të reja për të mbushur çdo boshllëk që mund të gjendet, si dhe nismën për ndryshimin e Kodit Penal për çështje që nevojiten”, tha Thaçi.
Presidenti shtoi se rritja e transparencës dhe përgjegjësisë të gjyqësorit janë disa nga hapat që i nevojiten Kosovës. Fillimi i zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim (MSA) mes Kosovës dhe BE-së është një nga lajmet më të mira për prodhuesit kosovarë, u shpreh Thaçi dhe informoi përfaqësuesit e BE-së se Kosova ka miratuar strategjinë e zbatimit të MSA-së, që përfshinë reforma politike dhe ekonomike të parapara me këtë marrëveshje. Kosova, sipas Presidentit Thaçi, ka marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët, ndërsa ai personalisht fuqishëm mbështet edhe dialogun me Serbinë, si të vetmen rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të rajonit.
Thaçi konsideron se janë krijuar kushtet që ky dialog tani të kalojë në nivel shumë më dinamik dhe shumë shpejtë të arrihen marrëveshje të reja njëkohësisht duke zbatuar ato ekzistueset. Presidenti i Kosovës theksoi se do të promovojë edhe dialog konstruktiv me BE-në.
“E kuptoj se Bashkimi Evropian ndoshta është lodhur nga zgjerimi dhe këtë shpesh herë e dëgjojmë si qëndrim, por unë mendoj se moszgjerimi është më i rrezikshëm se zgjerimi, sepse duhet të ndërtojmë rajon evropian. Duhet të zhvillojmë dialog të hapur me institucionet e BE-së për hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit evropian”, tha Thaçi.
Sipas tij, Kosova njëkohësisht duhet të forcojë edhe sigurinë në bashkëpunim me NATO-n. Ai theksoi se Kosova është pjesë e luftës globale kundër ekstremizmit dhe terrorizmit të dhunshëm. Thaçi konstatoi se Kosova ka edhe shumë punë për të bërë në rrugën e saj evropiane, porse është në rrugën e duhur.