Ali Cura
15 Dhjetor 2021•Përditësim: 16 Dhjetor 2021
Zv/ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Ryabkov dhe ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Karen Donfried, ka diskutuar kërkesën e Moskës për "garanci të sigurisë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi se "një diskutim i plotë u zhvillua për çështjen e garancive të sigurisë në dritën e përpjekjeve të vazhdueshme të SHBA-së dhe NATO-s për të ndryshuar situatën ushtarake dhe politike në Evropë në favor të tyre".
Ryabkov dhe Donfried zhvilluan një takim me dyer të mbyllura në Moskë. Para vizitës në Rusi, Donfried zhvilloi takime në kryeqytetin ukrainas Kiev.
Më 7 dhjetor, presidenti rus, Vladimir Putin, kërkoi garanci nga homologu i tij amerikan, Joe Biden, se NATO nuk do të zgjerohet drejt lindjes, si dhe për të parandaluar vendosjen e sistemeve të armëve në vendet fqinje të Rusisë.
Kohëve të fundit, Moska ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të Ukrainës, duke shkaktuar shqetësime për veprime ushtarake në Ukrainë. Sipas zyrtarëve ukrainas, Moska në muajin janar mund të shkaktojë një përshkallëzim në shkallë të gjerë.
Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka mbajtur gjatë shtatë viteve të fundit.