Dmitri Chirciu
15 Dhjetor 2021•Përditësim: 15 Dhjetor 2021
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin zhvilloi një bisedë me presidentin e Kinës, Xi Jinping, transmeton Anadolu Agency (AA).
Putin dhe Jinping bënë deklarata në pjesën e hapur për shtypin lidhur me bisedën e zhvilluar nëpërmjet video-konferencës dhe e cila zgjati rreth 1 orë. Presidenti rus theksoi marrëdhëniet dypalëshe dhe shtoi se këto marrëdhënie janë "shembull" në kuptimin e bashkëpunimin ndërmjet shteteve në shekullin 21.
Ai tha se pavarësisht pandemisë së COVID-19 kemi qenë vazhdimisht në kontakt me palën e Kinës. "Mes vendeve tona është formuar një model i ri bashkëpunimi që bazohet në parime si mospërfshirje në punët e brendshme dhe për respektimin e interesave të njëri-tjetrit si dhe vendosmëri për të shndërruar kufirin e përbashkët në një zonë paqeje të përhershme dhe brezin për fqinjësi të mirë", tha Putin.
Duke vënë theksin se marrëdhëniet tregtare mes Rusisë dhe Kinës janë forcuar, Putin tha se "Vëllimi i tregtisë dypalëshe për periudhën janar-nëntor të këtij viti shënoi rritje me 31 për qind duke arritur në 123 miliardë dollarë. Në këtë mënyrë kemi thyer rekordin e vitit 2019 para pandemisë. Ashtu siç jemi dakorduar në një periudhë të afërt do të tejkalojmë kufirin prej 200 miliardë dollarë".
Ai tha se kanë vazhduar të vendosin në zbatim projekte të përbashkëta edhe në fushën e energjisë bërthamore, industrisë dhe teknologjisë së lartë.
"Koordinimi i afërt i veprimeve të Rusisë dhe Kinës në arenën ndërkombëtare dhe qasjet e përgjegjshme të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve aktuale në botë janë bërë element i rëndësishëm stabiliteti në marrëdhëniet ndërkombëtare. Së bashku punojmë në mënyrë aktive në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe platformat BRICS", tha Putin.
Më tej pasi falënderoi homologun e tij kinez Jinping për ftesën në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Kinë, Putin ndau informacionin se përpara ceremonisë do të takohet me Xi Jinping.
"Ne gjithmonë mbështesim njëri-tjetrin për çështjet lidhur me bashkëpunimin në fushën e sportit ndërkombëtar, përfshirë edhe refuzimin e përpjekjeve për të politizuar sportin dhe fushatën olimpike. Nuk kam asnjë dyshim se Lojërat Olimpike Dimërore do të zhvillohen në nivelin më të lartë. Kina di ta bëjë këtë", potencoi Putin.
- "Kina dhe Rusia mbështesin njëra-tjetrën"
Presidenti i Kinës, Jinping duke vënë theksin se bota ka hyrë në periudhën e "ndryshimit të madh" tha se "Marrëdhëniet Kinë-Rusi duke kaluar nga çdo vështirësi kanë treguar fuqinë për të mbijetuar dhe kanë marrë sërish frymë".
"Kina dhe Rusia mbështesin njëra-tjetrën në mënyrë të vendosur në çështjet me rëndësi jetike për dinjitetin dhe interesat e tyre kombëtare. Me ju ndodhemi në krye të marrëdhënieve Kinë-Rusi dhe vazhdojmë kontaktet e ngushta në mënyra të ndryshme në pikat kyçe të rendit të ditës", tha Jinping.