Zgjedhjet parlamentare në Slloveni më 22 mars
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar deklaroi se mandatin për formimin e qeverisë do t'ia japë asaj force që siguron të paktën 46 vende në Parlament
Sarajevë
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar mori vendim për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare më 22 mars në vend, raporton Anadolu.
Duke njoftuar vendimin, presidentja tha se mandatin për formimin e qeverisë së re do t'ia japë asaj force politike që fiton të paktën 46 nga 90 vendet në parlament.
"Kushdo qoftë ai", shtoi Pirc Musar, duke bërë thirrje për pjekuri politike.
Ajo theksoi se dëshiron programe të qarta, të përgjegjshme dhe të realizueshme nga partitë politike dhe nënvizoi se në fushatën parazgjedhore përmbajtja duhet të ketë përparësi ndaj politikës.
Sipas Ligjit për zgjedhjet në Kuvendin Shtetëror, zgjedhjet e rregullta shpallen më së herët 135 ditë dhe më së voni 75 ditë para përfundimit të katër viteve nga seanca e parë e Parlamentit. Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit nuk duhet të kalojnë më shumë se 90 ditë dhe jo më pak se 60 ditë.
Zgjedhjet e mëparshme parlamentare në Slloveni u mbajtën më 24 prill 2022 ndërsa seanca e parë e Parlamentit u mbajt më 13 maj të atij viti.
Parlamenti ka gjithsej 90 deputetë, prej të cilëve 88 zgjidhen me sistem proporcional në zgjedhje të përgjithshme, të lira dhe të drejtpërdrejta ndërsa dy deputetë përfaqësojnë komunitetet kombëtare autoktone (italiane dhe hungareze), me nga një vend të garantuar.
Parlamenti slloven përbëhet nga dy dhoma: përveç Kuvendit Shtetëror, ekziston edhe Këshilli Shtetëror me 22 anëtarë, të cilët përfaqësojnë grupe dhe individë të rëndësishëm shoqërorë, ekonomikë, profesionalë dhe rajonalë. Anëtarët zgjidhen për mandat katërvjeçar.
Zgjedhjet parlamentare të këtij viti do të jenë të dhjetat në historinë e shtetit të pavarur. Zgjedhjet e para parlamentare u mbajtën në vitin 1992.
