Mustafa Deveci
29 Janar 2019•Përditësim: 30 Janar 2019
KUDS (AA) - Ish komandanti i Forcave Ajrore të Izraelit, Amir Eshel, tha se vetëm Rusia mund të largojë Iranin nga Siria, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një fjalimi në një konferencë në Tel Aviv, Eshel ka folur në lidhje mbi hapat që Izraeli ka ndërmarrë ndaj pranisë iraniane në Siri dhe skenarëve të mundshëm.
Duke vënë theksin se Izraeli nuk është në prag të ndonjë lufte Eshel tha: "Por, unë mendoj se ne nuk duhet të gënjejmë më veten. Sepse një zhvillim si hedhja e një rakete në Hermon (një rajon në Lartësitë e pushtuara të Golanit) mund të nxisë luftën".
Sipas tij, asnjë veprim ushtarak nuk do të ishte i mjaftueshëm për të larguar tërësisht Iranin nga Siria. "Ju mund ta largoni Iranin nga Siria vetëm përmes rrugëve diplomatike. Dhe, adresa e vetme e kësaj përpjekjeje diplomatike që mund ta bëjë këtë, është Rusia", tha Eshel.
Pasi ka njoftuar se në kushtet aktuale alternativa e vetme është që SHBA-ja të kalojë në veprim në nivel botëror kundër pranisë së Iranit në Siri, Eshel theksoi se "Është pothuajse e pamundur që SHBA-ja të ndërmarrë këtë hap dhe unë nuk mendoj se kjo do të bëhet, por mendoj që as vetë sirianët nuk e duan fuqinë e barutit të Iranit në oborrin e tyre".
Gjatë orëve që Amir Eshel ka folur në konferencë, në Izrael ka mbërritur Aleksandr Lavrentyev përfaqësuesi special për Sirinë i presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Vershinin.
Shtypi izraelit ka shkruar se Lavrentyev dhe Vershinin do të takohen sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ku pritet që në bisedime të diskutohet për praninë e Iranit në Siri.