Büşra Selvi Öğütcen
29 Korrik 2017•Përditësim: 30 Korrik 2017
KARAKAS (AA) - Në disa qytete të Venezuelës u organizuan protesta kundër zgjedhjes që do të mbahet nesër për përcaktimin e përfaqësuesve të Asamblesë Kushtetuese me të cilën synohet të rishkruhet kushtetuta e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Si në shumë qytete të vendit, edhe në kryeqytetin Karakas u mbyllën rrugët për shkak të marshit të protestuesve kundër zgjedhjes së Asamblesë Kushtetuese.
Pas grevës dy ditore kundër zgjedhjes, njerëzit për t'i përmbushur nevojat e tyre shkuan nëpër banka, markete dhe shitore.
Ndërkohë, presidenti i Kolombisë, Juan Manuel Santos, ka deklaruar se nuk do të njohin rezultatin e zgjedhjes që do të mbahet nesër.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, duke theksuar se e vetmja rrugë për të shpëtuar vendin nga kriza ekonomike dhe politike është rishkrimi i kushtetutës, kishte njoftuar se më 30 korrik do të shkojnë në zgjedhje për përcaktimin e përfaqësuesve të asamblesë speciale.
Në protestat e vendit kundër qeverisë së presidentit Maduro, që nga fillimi i muajit prill jetën e kishin humbur më shumë se 100 persona, 1.500 të tjerë ishin plagosur, ndërsa më shumë se 500 protestues dhe persona anti-qeveritarë ishin arrestuar.
Protestat filluan më 31 mars, pasi që ishte njoftuar se Gjykata e Lartë, e cila është nën kontrollin e qeverisë së udhëhequr nga Maduro, ka marrë kompetencat e Asamblesë Nacionale.
Qeveria e Maduro-s pretendon se dhunën e nxisin opozita në bashkëpunim me radikalistë të të djathtës ekstreme dhe bandat kriminale, ndërsa nga ana tjetër opozita pretendon se përgjegjësia e vdekjeve bie mbi forcat e sigurisë dhe milicët pro-qeveritar.
Air France pezullon fluturimet në Venezuelë
Kompania kombëtare ajrore franceze, Air France, njoftoi se në datat mes 30 korrikut dhe 1 gushtit i ka pezulluar fluturimet për në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, për shkak të gjendjes në këtë vend.
Në njoftimin e kompanisë Air France theksohet se pasagjerëve të kompanisë që udhëtojnë për në dhe nga qyteti Karakas do t'u bëjnë oferta jashtëzakonisht komerciale.