Kasım İleri
18 Janar 2017•Përditësim: 18 Janar 2017
WASHINGTON (AA) - Zëdhënësi i koalicionit kundër DEASH-it i udhëhequr nga SHBA-të, koloneli John Dorrian ka njoftuar se në Siri vazhdon koordinimi ditor me Turqinë dhe se koalicioni ka nisur fluturimet zbuluese në afërsi të rajonit El Bab dhe kryerjen e sulmeve ajrore kundër organizatës terroriste DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).
Dorrian i cili është lidhur me Departamentin amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) nëpërmjet telekonferencës nga Bagdadi, u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me operacionet e kryera kundër organizatës terroriste DEASH në Irak dhe Siri.
"Në kohët e fundit kemi kryer shumë fluturime zbuluese me qëllim mbështetjen e Turqisë dhe forcat që mbështesim në afërsi të rajonit El Bab. Kemi filluar gjithashtu të kryejmë edhe sulme ajrore kundër objektivave përreth El Bab-it. Këto sulme kanë eliminuar elementët e armiqve në vijën e parë të frontit në afërsi të qytetit", tha Dorrian duke vënë në dukje se vazhdojnë bisedimet dhe kooridinimet ditore të koalicionit me Turqinë në Siri.
Koloneli Dorrian tha se koalicioni do të vazhdojë të punojë sa më shumë të jetë e mundur me Turqinë në front kundër DEASH-it dhe se autoritetet turke dhe amerikane do të vazhdojnë të ofrojnë koordinim nga qendrat e përbashkëta.
"Presim që të vazhdojnë sulmet dhe koordinimi me Turqinë"
Pasi ka vënë në dukje se kanë kryer 4 sulme ajrore në rajonin EL Bab, Dorrian tha se presin që të vazhdojnë këto sulme dhe koordinimi me Turqinë.
Sipas tij, pas fluturimeve zbuluese janë përcaktuar objektivat ku si rezultat janë goditur një njësi taktike e organizatës terroriste DEASH dhe disa automjete të blinduara.
Pas një pytjeje në lidhje me përleshjet e ashpra në El Bab, Dorrian tha se Turqia po lufton me një organizatë terroriste në El Bab e cila nuk heziton të përdorë njerëzit si mburoja, situatë kjo e cila kërkon kohë për të hyrë në qytet.
"Sigurisht që partnerët, aleatët tanë janë më të përgatitur se ata dhe ne besojmë se do të jenë të suksesshëm kundër tyre por gjithashtu nuk është befasi që të jetë e vështirë për të mundur DEASH-in. Kanë patur shumë kohë për të ndërtuar mbrojtje në territorin që kontrollojnë dhe sigurisht që nuk do të jetë e lehtë çrrënjosja e tyre nga aty", thotë Dorrian duke shtuar se kanë besim të plotë në aftësinë e forcave të sigurisë së Turqisë.