Vazhdojnë protestat në Hong Kong
Mijëra protestues të organizuar nëpërmjet internetit në rajonin Kwai Fong të Hong Kogut kanë marshuar drejt parkut Tsuen Wan

Hong Kong
Vazhdojnë pa ndërprerë protestat në rajonin e posaçëm administrativ Hong Kong të Kinës të cilat zhvillohen kundër ligjit për ekstradim në Kinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mijëra protestues të organizuar nëpërmjet internetit në rajonin Kwai Fong të Hong Kogut kanë marshuar drejt parkut Tsuen Wan.
Marshimi i filluar në ora 15:00 me orën lokale, pavarësisht shirave ka vazhduar nën shoqërimin e sloganeve "Hong Kongu i pavarur, eja Hong Kong".
Protestuesit sot kanë shkulur barrierat prej hekuri në mesin e rrugëve me dy korsi si dhe kanë vendosur barrikada në afërsi të rrugës së protestës.
Ndërkohë është vërejtur se një person i veshur me kostumin e babagjyshit i prezantuar si kanadez ka dhënë mbështetje ndaj sloganeve të protestuesve. Lidhur me protestat ai ka thënë se "Kjo nuk është çështje e Hong Kongut, por çështje e botës".
Ndërsa një nga protestuesit, një student universitar me emrin Billy i cili ka folur për AA, duke mbrojtur idenë e tij se policia "ka ndërhyrë edhe ndaj protestave paqësore" tha se kanë vendosur barrikadat për të mbrojtur veten.
Poashtu edhe Alex Chan, një kolegjist tha se protestat i zhvillojnë për "të mbrojtur të ardhmen e tyre".
Në një deklaratë nga policia e Hong Kongut bëhet e ditur se protestuesit janë larguar nga destinacioni i përcaktuar më parë dhe se ata kanë formuar barrikada.
Policia ka paralajmëruar se në rast se protestuesit nuk shpërndahen ata do të ndërmarrin një operacion për shpërndarjen e tyre.
Ndër të tjera në shtypin e Hong Kongut është tërhequr vëmendja se ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës nuk do të jetë efektiv për shkak të motit me shi dhe theksohet se ajo mund të ndërhyjë kundër protestuesve me ujë.
Në zonën ku zhvillohet protesta janë mbyllur stacionet e metrosë ndërsa bizneset kanë ndërprerë aktivitetin e tyre.
Projektligji për ekstradim në Kinë
Projekt-ligji që parashikon ekstradimin në Kinë, rajonin special Macao dhe në Tajvan të personave që janë të dënuar ose ndaj të cilëve ka pretendime akuzuese në Hong Kong u paraqit në Parlament më 3 prill.
Pavarësisht se projekt-ligji përjashton krimet politike, në Hong Kongun me një popullsi prej 7.4 milionë banorësh shumica e njerëzve ndajnë shqetësimin se njerëzit do t'i nënshtrohen paraburgimit arbitrar, proceseve të padrejta gjyqësore dhe madje edhe torturave nën sistemin gjyqësor të Kinës.
Opozitarët janë të shqetësuar se nëse ligji miratohet, ai do të rezultojë që Kina të vendosë në shënjestër opozitarët politikë në Hong Kong.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.