Said İbicioğlu
05 Qershor 2020•Përditësim: 05 Qershor 2020
Dy pjesëtarë të ushtrisë libiane kanë humbur jetën nga një sulm ajror në Misrata i kryer nga një dron i armatosur që i përkiste Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për AA, Mustafa al-Majei, zëdhënësi i operacionit "Vullkani i Tërbimit" i ushtrisë libiane, tha se forcat qeveritare në frontin e Abugrein-it në jug të qytetit Misrata janë sulmuar nga një dron i EBA-së, e cila mbështet liderin e forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar.
Ai theksoi se sulmi është kryer në kohën kur ushtria çliroi qytetin Tarhuna dhe se dy ushtarë kanë humbur jetën si pasojë e tij.
Ndryshe, ushtria libiane sot çliroi qytetin strategjik Tarhuna nga milicitë besnike të Haftarit.
Këtë javë, ushtria siguroi kontrollin e plotë në të gjitha zonat e kryeqytetit Tripoli, ndërsa më herët kishte rimarrë bazën strategjike Al-Watiya.
Qeveria e Libisë e njohur nga OKB-ja ka qenë nën sulm nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit 2019.
Libia është përfshirë nga lufta civile që nga rrëzimi i ish-udhëheqësit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate kanë dështuar për shkak të ofensivës ushtarake nga forcat e Haftarit.