Muhammet Kurşun
05 Qershor 2020•Përditësim: 05 Qershor 2020
Në Iran rritet në 8.134 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour, bëri të ditur se në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 63 vdekje për shkak të COVID-19.
Numri gjithsej i vdekjeve ka arritur në 8.134, dhe me 2.886 raste të reja ka arritur në 167.156 numri i përgjithshëm i rasteve, njoftoi Jahanpour.
Jahanpour theksoi se deri më tani janë shëruar 129.741 persona, ndërkohë që 2.573 pacientë janë në gjendje kritike.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë konfirmoi se deri më tani në mbarë vendin janë kryer 1 milionë e 40 mijë teste të COVID-19.
Ndër të tjera Jahanpour, theksoi se rajoni Khuzestan në jug të vendit në kufi me Irakun është përcaktuar zonë e kuqe dhe se në mesin e zonave me rrezik të lartë ndodhen edhe Azerbajxhani Lindor dhe Perëndimor, Kurdistani, Kermanshah, Bushehr dhe Hormozgan.
Në 24 orët e fundit nuk janë shënuar vdekje në 13 rajone, ndërkohë që në 5 rajone janë shënuar nga një vdekje njoftoi Jahanpour.
Në Iran numri i rasteve ditore në fillim të muajit maj ra deri në 800, por pas heqjes së ndalesave numri i rasteve kaloi sërish në rritje.
Koronavirusi për herë të parë në Iran u shfaq më 19 shkurt në qytetin Qom.