Ruslan Rehimov
22 Prill 2021•Përditësim: 22 Prill 2021
Ushtarët armenë hapën zjarr ndaj ushtarëve azerbajxhanas dhe rusë që shërbenin në kufirin e Azerbajxhanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e bërë nga Komanda e Shërbimeve të Kufirit Shtetëror të Azerbajxhanit, njoftohet se dje pas vizitës së Kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan, në provincën Zangezur, ushtarët armenë kryen veprime provokuese në kufi.
Në deklaratë thuhet se ushtarët armenë qëlluan në pozicionet e rojeve kufitare të Azerbajxhanit të vendosura në fshatin Seyitler të provincës Zengilan dhe rojeve kufitare ruse në anën armene.
Gjithashtu thuhet se rojet kufitare ruse u kërkuan ushtarëve azerbajxhanas të mos reagonin ndaj incidentit duke thënë se ushtarët armenë që hapën zjarr ishin të dehur dhe se ushtarët azerbajxhanas nuk u përgjigjën me kërkesën e palës ruse.
Po ashtu thuhet se pas incidentit ushtarët armenë u dëbuan nga zona nga ushtarët rusë.
Në të njëjtën ditë u njoftua se një grup armen, i cili erdhi në kufi me afërsisht 40 automjete në drejtim të fshatit Shurnuh të provincës Gubadli, brohoritën parulla kundër Azerbajxhanit.
Komanda e Shërbimeve Kufitare Shtetërore të Azerbajxhanit paralajmëroi se nëse ndodhin përsëri provokime të tilla, përgjigja do të bëhet më e ashpër.