Ekip
24 Janar 2022•Përditësim: 24 Janar 2022
Uganda sot ka hapur plotësisht ekonominë e saj për bizneset pas gati dy vjetësh bllokimi lidhur me pandeminë e COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë të dielën, presidenti Yoweri Museveni tha: “Argëtimet, baret, diskotekat, kinematë dhe sektorë të tjerë që nuk kanë funksionuar për shkak të pandemisë COVID-19 do të rihapen plotësisht nesër”.
Ai tha se qeveria ka administruar 12,43 milionë doza vaksinash deri më tani për popullsinë e saj të rritur.
Lajmi u mirëprit në gjithë vendin dhe banorët e lumtur u nisën me turma në bare, kinema dhe klube nate pas mesnate.
Denis Lwasa, një pronar lokali, për AA tha: "Jemi shumë të lumtur sepse tani kemi filluar të punojmë. Nuk ka qenë e lehtë të jesh jashtë biznesit për gati dy vjet".
Dy javë më parë u rihapën shkollat në gjithë vendin. Gjatë kësaj periudhe, 600.000 vajza adoleshente mbetën shtatzënë në vend, sipas raportit të OKB-së, duke rrezikuar kthimin e tyre në shkollë.
Deri më tani, Uganda ka raportuar 160.352 raste dhe 3.474 vdekje nga virusi.