Burak Bir
04 Shtator 2020•Përditësim: 04 Shtator 2020
Zyrtarë të lartë nga Turqia dhe SHBA zhvilluan bisedë telefonike të enjten rreth çështjeve të ndryshme, përfshirë zhvillimet e fundit në Mesdheun Lindor, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi presidencial i Turqisë, Ibrahim Kalın Kalin i tha Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Robert C. O'Brien se Ankaraja nuk dëshiron përshkallëzim të mosmarrëvshjeve me vendet e tjera në rajon.
"Përkundrazi, ajo mbështet një model sipas të cilit të gjitha palët mund të ndajnë në mënyrë të barabartë rajonin dhe burimet e tij në mënyrë të drejtë, siç ka propozuar më parë presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan", thuhet në deklaratë.
Kalın nënvizoi se politika e njëanshme dhe maksimaliste e Greqisë, e cila ka shërbyer për të përshkallëzuar tensionet duke injoruar ligjin ndërkombëtar, është e papranueshme dhe se qasjet e tilla duhet të shmangen që të ketë një zgjidhje politike.
Duke theksuar vendosmërinë e Turqisë për të mbrojtur të drejtat e saj dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) në Mesdheun Lindor, ai gjithashtu tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet për ta bërë Mesdheun një "det paqeje".
Kalın dhe O'Brien diskutuan gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.
Greqia ka kontestuar eksplorimin e tanishëm energjetik të Turqisë në Mesdheun Lindor, duke u përpjekur për të bllokuar territorin detar turk bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.
Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije shpimi për të kërkuar energji në shelfin e saj kontinental, duke thënë se Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon.
Dialogu për ndarjen e këtyre burimeve në mënyrë të drejtë do të jetë një fitore për të gjitha palët, thonë zyrtarët turq.