Barış Seçkin
17 nëntor 2016•Përditësim: 18 nëntor 2016
ROMË (AA) – BARIŞ SEÇKIN
Italia duket se do të përdorë të drejtën e vetos në takimet për rishikimin e buxhetit të planeve afatmesme ndaj Bashkimit Evropian, për shkak se BE nuk i është përgjigjur thirrjeve të saj për një politikë ekonomike elastike, si dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj emigracionit të paligjshëm nga vendet afrikane drejt brigjeve të saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Në lidhje me elasticitetin e politikave ekonomike Italia herë pas here është përplasur me Komisionin e BE-së, madje ka pasur diskutime të ashpra edhe me Gjermaninë. Ndërsa përsa i përket emigracionit të paligjshëm, Italia prej kohësh është kundër disa vendeve të Evropës, duke përfshirë edhe Hungarinë.
Këto diskutime dhe kundërshtime mes palëve dolën në pah në minisamitin e Bratislavës, ku gjatë takimeve jozyrtare në muajin shtator, doli dhe një mini krizë. Italia e cila thotë se nuk ka parë interesimin e duhur të BE-së, nga ajo kohë deri në ditët e sotme, ka rritur dozën e reagimeve.
Veçanërisht për shpërndarjen e emigrantëve, Italia ka reaguar fuqishëm duke thënë: "Marrëdhëniet janë reciproke. Nëse marrin paratë e shteteve të pasura si Franca, Gjermania dhe Italia dhe i përdorin ato për të bërë rrugë, ura, si dhe centrale elektrike, atëherë nëse duan paratë tona duhet të marrin edhe emigrantë." Ndërkohë një ditë më parë Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi deklaroi se do të përdorë veton për revizionin e buxhetit.
Renzi ka sjellë herë pas here në vëmendje edhe gjatë politikës së tij të brendshme veton ndaj buxhetit 2017 të BE-së, ndërkohë që vendimin për veton ndaj buxhetit afatmesëm të BE-së ai do ta shpalosë gjatë takimeve të muajit të ardhshëm kur Presidencën e BE-së do ta ketë Sllovakia.
Ndërsa ministri italian i Punëve të Jashtme, Paolo Gentiloni, në një deklaratë në lidhje me këtë çështje ka deklaruar: "Nuk kemi ndonjë pritshmëri që BE-ja të ndjekë ndonjë politikë ekonomike elastike ose të fortë ndaj nesh. Ne duam vetëm të na njihen dy kërkesat tona të drejta."
Përkundër kësaj nga Bratislava deklarojnë se ka një konsensus të gjerë për rishikimin e buxhetit afatmesëm dhe se çdo gjë do të shkojë sipas parashikimeve.
Ndërsa Komisioni i BE-së ka paralajmëruar Italinë për të përputhur buxhetin e saj me atë të marrëveshjeve të BE-së. Nga ana tjetër Italia ka thënë se nuk do të përkrahë me ndihmë ekonomike vendet anëtare të cilat nuk marrin emigrantë përveç buxhetit të 2017-ës.
Komisioni në një letër të dërguar, ka kërkuar nga Italia të ulë borxhin i cili është 140 për qind e të ardhurave kombëtare. Komisioni ka vlerësuar se rreziqe të ngjashme për buxhetet e 2017-ës kanë edhe vende të tjera si Belgjika, Qipro Greke, Lituania, Sllovenia dhe Finlanda.
Heqja e flamurit nga Renzi
Pa dyshim se veprimi i Renzit me heqjen e flamurit të BE-së gjatë një daljeje televizive, ku ai kishte vendosur vetëm flamurin italian, solli edhe reagimet e mediave. Mediat italiane raportuan se ky veprim ishte si një reagim ndaj BE-së. Ndërsa disa të tjera këtë e lidhen me politikën e brendshme. Disa analistë thonë se ky veprim është bërë për të marrë votat "pro" të kundërshtarëve të BE-së në vend.
Shkaku i tensioneve, referendumi në Itali
Në një vlerësim për AA, disa emra që i njohin mirë marrëdhëniet mes Italisë dhe BE-së tregojnë se shkaku i këtyre tensioneve është referendumi që do të zhvillohet më 4 dhjetor. Referendumi parashikon heqjen e disa të drejtave të Senatit për ligjvënien.
Reporteri për Italinë i gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe kryetari i Shoqatës së gazetarëve të huaj në Itali, Tobias Piller thotë se marrëdhëniet BE-Itali, janë bërë material elektoral dhe se ky është shkaku i vërtet i tensioneve.
"Në lidhje me emigrantët mendoj se Renzi tregon përralla. Sikur Italia po bën çdo gjë për këtë. Gjermania vitin e shkuar mori 6 herë më shumë refugjatë se sa Italia. Këto veprime duket se janë kthyer në material elektoral për referendumin që do të zhvillohet", komenton ai.
Zëvendësdrejtoresha e Institutit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare me qendër në Romë, Nathalie Tocci shprehet se: "Për mendimin tim, çdo gjë që po ndodh ka të bëjë me referendumin. Shkaku i vetëm për rritjen e tensionit është ky. Tronditjet ndaj BE-së, nga jashtë ose brenda janë kthyer në një sportivitet kohët e fundit. Renzi po luan të gjitha kartat e tij për referendumin."
Tocci thotë se marrëdhëniet mes Italisë dhe BE-së do të rregullohen pas referendumit të 4 dhjetorit dhe shtoi se çdo gjë që mund të ndodhë përpara 4 dhjetorit do të jetë për shkak të këtij referendumi.