Şenhan Bolelli
28 maj 2024•Përditësim: 28 maj 2024
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez tha se sot do ta njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke respektuar të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe që është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Sanchez, i cili doli para kamerave përpara mbledhjes së rregullt javore të Këshillit të Ministrave të qeverisë së koalicionit të majtë në Spanjë, shpjegoi për publikun arsyet e vendimit për njohjen e shtetit të Palestinës.
Duke theksuar se Spanja mbron "respektin për të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe përputhjen me ligjin ndërkombëtar" si për Ukrainën ashtu edhe për Palestinën, Sanchez nënvizoi se vendi i tij do të mbrojë gjithmonë Konventën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Ai tha se Këshilli i Ministrave do të miratojë njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës. "Në këtë mënyrë, Spanja do t'i shtohet më shumë se 140 vendeve që e njohin Palestinën në botë. Njohja e Palestinës është vendim historik dhe qëllimi i vetëm është të kontribuojë në vendosjen e paqes midis Izraelit dhe Palestinës", tha Sanchez.
"Njohja e shtetit të Palestinës nuk është vetëm përmbushja e drejtësisë historike, e cila është kërkesa legjitime e popullit palestinez, por edhe një hap drejt arritjes së paqes që të gjithë duam. Kjo është për të ecur përpara në rrugën që ne të gjithë e shohim si të vetmen mundësi për të siguruar një të ardhme paqeje, që shteti palestinez të jetojë në paqe dhe siguri me shtetin e Izraelit", tha ai.
Sanchez potencoi se njohja e shtetit të Palestinës duhet të jetë "e realizueshme". "Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet të bashkohen nën të njëjtën administratë palestineze, me një korridor mes tyre dhe Kudsit Lindor duhet të jetë kryeqyteti. Duhet të bashkohet nën administratën kombëtare palestineze", tha Sanchez.
Duke theksuar se përcaktimi i kufijve të shtetit të Palestinës varet nga vendimet e atij vendi dhe se Spanja nuk do të marrë një vendim lidhur me këtë, Sanchez tha: "Përcaktimi i kufijve i përket tërësisht administratës palestineze. Ne do të shqyrtojmë Kufijtë e vitit 1967 të përcaktuara në OKB dhe BE si të vlefshme deri më tani".
Për rëndësinë e njohjes së Palestinës nga komuniteti ndërkombëtar, Sanchez tha: "Ky vendim nuk është kundër askujt, veçanërisht Izraelit. Populli izraelit është një popull mik dhe ne e respektojmë atë. Ne duam të vendosim marrëdhëniet më të mira me ta. Ky vendim është gjithashtu kundër Hamasit, i cili është kundër zgjidhjes me dy shtete. Spanja ka dënuar sulmet e Hamasit më 7 tetor me gjithë vendosmërinë e saj që në momentin e parë. Ky është një tregues i angazhimit tonë në luftën kundër terrorizmit".
Sanchez tha se Spanja nga nesër do të ketë tre prioritete në lidhje me njohjen e shtetit të Palestinës.
"Duke filluar nga nesër, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona për zgjidhje me dy shtete. Prioriteti ynë do të jetë t'i japim fund krizës në Gaza, e cila nuk është parë kurrë në të kaluarën. Së pari bëj thirrje edhe një herë për armëpushim urgjent, dorëzimin e ndihmës humanitare dhe lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi. Së dyti, ne do të mbështesim të gjitha nismat e administratës palestineze në procesin e krijimit të qeverisë së re. Udhëheqja palestineze është partneri ynë i paqes dhe do të ketë nevojë për të gjithë mbështetjen tonë. Së fundi, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me vendet arabe duke punuar për paqe dhe prosperitet. Ne do të rrisim përpjekjet tona për një konferencë ndërkombëtare paqeje që do ta bëjë realitet zgjidhjen me dy shtete", tha Sanchez.
Megjithëse Parlamenti spanjoll mori vendim për njohjen e shtetit të Palestinës në nëntor 2014, për të qenë i vlefshëm, u kërkua konsensus në Bashkimin Evropian (BE) dhe më pas miratimi nga Këshilli i Ministrave.
Qeveria e koalicionit të krahut të majtë në Spanjë kishte njoftuar se do të vendoste të njihte shtetin e Palestinës, edhe nëse nuk do të kishte konsensus brenda BE-së, pas sulmeve të Izraelit ndaj palestinezëve, veçanërisht në Gaza dhe Bregun Perëndimor dhe vrasjen e më shumë se 35 mijë palestinezëve, duke filluar nga 7 tetori.
Këshilli i Ministrave do të përfundojë sot procesin duke miratuar vendimin për njohjen zyrtarisht të shtetit të Palestinës.