Bota

Shpërthejnë protestat pro-palestineze në Evropë

Mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë Evropën për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit ndaj anijeve që transportonin ndihma humanitare në Gaza

Abdulbesar Ademi  | 09.10.2025 - Përdıtësım : 09.10.2025
Shpërthejnë protestat pro-palestineze në Evropë Foto: Barış Seçkin/AA

Shkup

Mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë Evropën për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit ndaj anijeve që transportonin ndihma humanitare në Gaza, raporton Anadolu.

Mijëra italianë dolën në rrugë në Romë për të denoncuar sulmin e Izraelin ndaj Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, që po përpiqej të dërgonte ndihmë humanitare në Gaza. Sulmi shkaktoi zemërim të gjerë në qytete si Romë, Milano, Napoli dhe Salerno, ku demonstruesit shprehën solidaritet me popullin palestinez dhe bënë thirrje për t'i dhënë fund bllokadës dhe veprimeve ushtarake të Izraelit.

Në kryeqytetin Romë, turma u mblodh para Koloseut ikonik përpara se të marshonin drejt lagjes Piramide, duke brohoritur slogane si "Liri për Palestinën", "Ndaloni gjenocidin" dhe "Nga lumi në det, Palestina e lirë". Ata valëvitnin flamuj palestinezë dhe mbanin pishtarë.

Londinezët mbajtën një vigjilje jashtë zyrës së kryeministrit në Londër për palestinezët e vrarë në Gaza që nga tetori i vitit 2023 në sulmet izraelite. Duke mbajtur flamuj palestinezë, dhjetëra demonstrues mbanin pankarta me mbishkrime si "Palestinezët rezistojnë" dhe "Thuaj jo spastrimit etnik".

Gjithashtu u ndezën qirinj dhe u vendosën në tokë me fotografi të palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite. Ata gjithashtu mbajtën një minutë heshtje për Gazën.

Francezët kërkuan lirimin e menjëhershëm të aktivistëve nga Flotilja Globale "Sumud" dhe Koaliconi i Flotiljes së Lirisë, të cilët u ndaluan nga autoritetet izraelite. Demonstruesit u tubuan në sheshin ikonik "Place de Republique" në kryeqytetin Paris, duke dënuar ndërprerjen e fundit të flotiljeve të ndihmës nga Izraeli dhe kërkuan lirimin e të gjitha individëve të ndaluar.

Në protestë u shpalosën edhe banderola të mëdha me slogane si "Macron: Ndaloni gjenocidin" dhe "Lironi Palestinën". Aktivistët francezë që kishin marrë pjesë në Flotën Globale "Sumud" iu drejtuan turmës, duke pretenduar keqtrajtim nga autoritetet izraelite.

Të mërkurën herët, marina izraelite sulmoi anijet e flotiljes "Një mijë Madlene drejt Gazës" të Koalicionit të Flotiljes së Lirisë në ujërat ndërkombëtare, afërsisht 120 milje detare (222 kilometra) nga enklava.

Konvoji u nis pasi forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan më shumë se 40 anije javën e kaluar që ishin pjesë e Flotiljes Globale "Sumud" që ishte nisur drejt Gazës dhe arrestuan mbi 450 aktivistë në bord. Shumica e tyre janë deportuar.

Izraeli, si fuqi pushtuese, ka sulmuar edhe më parë anijet që shkonin drejt Gazës, ka sekuestruar ngarkesën e tyre dhe ka deportuar aktivistët në bord.

Tel Avivi për gati 18 vjet ka mbajtur një bllokadë në Rripin e Gazës, shtëpi e gati 2.4 milion njerëzve si dhe e shtrëngoi rrethimin në muajin mars, kur mbylli kalimet kufitare dhe bllokoi shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke e çuar enklavën në uri.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e kanë kthyer atë praktikisht në të pabanueshme.

Së fundmi, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe grupi palestinez Hamas kanë nënshkruar fazën e parë të marrëveshjes të propozuar nga SHBA-ja për Rripin e Gazës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.