Shkatërrohet xhamia e Bilallit në Kashmirin e administruar nga Pakistani si pasojë e sulmit të Indisë
Ushtria indiane mbrëmë njoftoi se ka nisur operacion ushtarak kundër "objektivave" në Pakistan dhe rajonin pakistanez Azad Kashmir

Shkup
Xhamia e Bilallit në Muzaffarabad, qytet në rajonin e Kashmirit të administruar nga Pakistani (Azad Kashmir), u shkatërrua në sulmet e ushtrisë indiane ndaj Pakistanit dhe Azad Kashmirit, transmeton Anadolu.
Ushtria indiane mbrëmë njoftoi se ka nisur operacion ushtarak kundër "objektivave" në Pakistan dhe rajonin pakistanez Azad Kashmir.
Xhamia e Bilallit në Muzaffarabad u shkatërrua në një sulm nga India.
Të paktën 26 persona kanë humbur jetën si dhe 46 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve me raketa të Indisë, njoftoi ushtria pakistaneze.
Ministria e Mbrojtjes e Indisë njoftoi për operacionin "Sindoor", me goditjen e nëntë lokacioneve në Pakistan, si dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani.
Përshkallëzimi midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore vjen pas sulmit të 22 prillit në Pahalgam në Kashmirin e administruar nga India, ku u vranë 26 persona.
India akuzoi Pakistanin për sulmin, duke pretenduar se sulmi kishte lidhje ndërkufitare, por Pakistani mohoi se ka ndonjë lidhje me vrasjet.
Pas sulmit në Pahalgam, të dy vendet morën një sërë masash kundër njëri-tjetrit, përfshirë edhe pezullimin e vizave dhe dëbimin e diplomatëve.