SHBA planifikon të “marrë në dorë” operacionet e ndihmës humanitare në Gaza
Sipas zyrtarit amerikan, vendimi u mor për shkak se Izraeli nuk ka trajtuar siç duhet situatën humanitare

Istanbul
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, planifikon të “marrë në dorë” operacionet humanitare në Gaza, pasi vlerëson se Izraeli nuk po e menaxhon mjaftueshëm situatën, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve të cituara nga Axios, Trump dhe i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, diskutuan për rritjen e rolit të Washingtonit gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë mbrëmë. Sipas Departamentit të Shtetit, takimi pasoi vizitën e Witkoff-it në Gaza javën e kaluar, ku ai kaloi mbi pesë orë duke vlerësuar gjendjen në terren.
Një zyrtar amerikan tha se Trump “nuk është i entuziazmuar” për të marrë drejtimin, por shtoi se “nuk duket se ka rrugë tjetër”.
Sipas tij, vendimi u mor për shkak se Izraeli nuk ka trajtuar siç duhet situatën humanitare.
“Problemi i urisë në Gaza po përkeqësohet. Donald Trump nuk e pranon këtë. Ai nuk dëshiron që foshnjat të vdesin nga uria”, tha zyrtari.
Sipas burimeve, disa vende të Gjirit, përfshirë Katarin, do të kontribuojnë me fonde, ndërsa Jordania dhe Egjipti “me gjasë do të marrin pjesë” në operacion.
Një zyrtar izraelit konfirmoi se Tel Avivi e mbështet zgjerimin e rolit amerikan në shpërndarjen e ndihmave.
Aktualisht, shpërndarjen e ndihmës në Gaza e menaxhon Fondacioni Humanitar për Gazën, një organ i krijuar nga Izraeli në muajin shkurt me mbështetjen e SHBA-së. Që nga fillimi i operacioneve në fund të muajit maj, mbi 1.300 persona janë vrarë teksa përpiqeshin të merrnin ndihma.
Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 188 persona, përfshirë 94 fëmijë, kanë vdekur nga uria në Gaza, ndërsa numri i përgjithshëm i të vrarëve në luftën izraelite ka kaluar 61 mijë persona.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.