Ekip
15 qershor 2023•Përditësim: 16 qershor 2023
Nëntë gra të tjera kanë akuzuar komedianin e njohur amerikan Bill Cosby për sulm seksual në një proces gjyqësor në të cilin pretendojnë se ai i ka sulmuar duke përdorur fuqinë, famën dhe prestigjin e tij, transmeton Anadolu.
Padia, e paraqitur të mërkurën në Gjykatën Federale në Nevada, pretendon se gratë u joshën dhe u sulmuan midis viteve 1979 dhe 1992 në shtëpi, hotele dhe dhoma të zhveshjes në Las Vegas, Reno dhe Lake Tahoe.
Njëra nga gratë akuzoi Cosby-n, i cili pretendonte se ishte mentori i saj i aktrimit, se e joshi atë të vinte nga New Yorku në Nevada, ku u drogua në një dhomë hoteli dhe më pas u përdhunua.
Ylli 85-vjeçar i "Cosby Show" është akuzuar nga më shumë se 60 gra për përdhunim, sulm seksual dhe ngacmim seksual. Aktori i ka mohuar të gjitha akuzat.
Cosby është amerikani i parë i njohur që dënohet në epokën e lëvizjes #MeToo. Ai kaloi pothuajse tre vjet në burg përpara se gjykata e lartë të anulonte vendimin dhe ta lironte atë në vitin 2021.
Në fillim të këtij viti, një gjykatë në Los Angeles akordoi gjysmë milioni dollarë dëmshpërblim për një grua që pretendoi se Cosby e ngacmoi atë në rezidencën e revistës Playboy në 1975 kur ajo ishte 16 vjeçe.
Gratë ngritën padi disa javë pasi guvernatori Joe Lombardo nënshkroi ligjin që i jep fund statutit dyvjeçar të kufizimeve për paraqitjen e akuzave për sulm seksual. Padi të ngjashme pasuan në shtete të tjera federale pas miratimit të ligjit të njëjtë.
Një nga gratë që ngriti padinë është Lise-Lotte Lublin, e cila luftoi për ndryshimin e ligjit. Ajo e akuzoi më parë Cosby-n se e kishte droguar me pije dhe e përdhunoi në një hotel në Las Vegas në vitin 1989.
"Unë kam luftuar për viktimat e sulmeve seksuale për vite dhe sot është hera e parë që mund të luftoj për veten time", tha Lotte-Lublin, duke shtuar se ligji i ri e lejon atë të çojë Cosby-n në gjykatë.
Përfaqësuesit e aktorit dikur të njohur hodhën poshtë të gjitha akuzat nga paditë.