Burak Bir
15 qershor 2023•Përditësim: 16 qershor 2023
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson "mashtroi me vetëdije Parlamentin" në lidhje me ahengun në kohën e bllokimit "partygate" e cila u mbajt në "Downing Street" duke shkelur rregullat e COVID, sipas një raporti të ri nga një komitet zyrtar, raporton Anadolu.
Komiteti i Privilegjeve të Dhomës së Ulët zbuloi se Johnson me vetëdije mashtronte Parlamentin disa herë dhe se shkeljet e tij ishin mjaft serioze për të rekomanduar një pezullim 90-ditorë, nëse ai ishte ende deputet, megjithëse hoqi dorë nga mandati javën e kaluar.
Në deklaratën e tij të dorëheqjes javën e kaluar, Johnson njoftoi se do të largohej me efekt të menjëhershëm duke pretenduar se nuk ka gënjyer. Ai më tej pohoi se komiteti e di se ai e ka thënë të vërtetën. Komiteti ka hetuar shkeljet e tij të distancës sociale gjatë pandemisë në vitin 2020 dhe 2021.
Komisioni tha se atij nuk duhet t'i jepen lejet parlamentare që u jepen ish-deputetëve. Duke folur para komisionit në mars, Johnson pranoi se kishte mashtruar Parlamentin, por mohoi se e ka bërë me qëllim. "Dorën në zemër, nuk e kam gënjyer Parlamentin", tha ai.
Me "Partygate" u emërua skandali, në të cilin ishin mbajtur dhjetëra festa gjatë pandemisë në Kryeministri dhe në dikastere qeveritare që u ekspozuan në media.
Johnson, deputet nga Uxbridge dhe South Ruislip, u rrëzua nga posti i kryeministrit nga deputetët e partisë së tij korrikun e kaluar pas një sërë akuzash, por mbajti mandatin e deputetit deri javën e kaluar.