Mohamad Misto,Adham Kako
28 Tetor 2019•Përditësim: 29 Tetor 2019
Ushtria e SHBA-ve dërgoi një autokolonë me 170 maune që transportonin automjete të blinduara dhe materiale logjistike ushtarake në fushat e naftës që ndodhen nën okupimin e organizatës terroriste YPG/PKK në lindje të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Autokolona e ushtrisë amerikane e cila u nis nga veriu i Irakut hyri nga pika kufitare Simelka nën okupimin e YPG/PKK-së rreth orës 00:30 pas mesnate dhe që nga aty nëpërmjet rajonit Qamishli u drejtua për në Al-Hasakah dhe më pas në Deirizor.
Sipas informimeve nga gazetari i AA-së, në autokolonën që përbëhej nga rreth 170 automjete u vërejtën 17 mjete të blinduara dhe maune me kontejnerë të mbuluar.
Automjetet në rajonin Deirizor kanë hyrë nën shoqërimin e helikopterëve. Kjo është regjistruar si dërgesa më e madhe që SHBA-ja ka kryer nga Iraku në Siri që prej një kohe të gjatë.
Qeveria amerikane javën e kaluar bëri të ditur se do të forcojë praninë e saj në fushat e naftës në lindje të Sirisë.
AA ka njoftuar se SHBA ditë më parë me këtë qëllim theksoi fillimin e fortifikimit ushtarak në Deirizor. Në kuadër të kësaj SHBA-ja ka dërguar një numër të madh të automjeteve të blinduara në fushat e naftës, kryesisht në El-Omer dhe Rumelayn dhe se ajo do të ndërtojë bazë ushtarake në zonën Bagoz në juglindje të rajonit.
Ndërkohë pozicioni i bazës së re që pritet të ndërtohet ka një rëndësi strategjike për shkak se ajo ndodhet pranë rajonit Bukemal i cili është nën kontrollin e regjimit të Bashat Asadit dhe terroristëve të huaj me mbështetje iraniane.
SHBA me fortifikimet ushtarake do të ofrojë edhe sigurinë e YPG/PKK-së e cila mban nën okupimin e saj fushat e naftës.