Mücahit Oktay
02 Shtator 2020•Përditësim: 02 Shtator 2020
Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 188.961, prej të cilëve 1.136 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave.
Të dhënat nga faqja e internetit "Worldometer" tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është rritur për 46.241, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 6.259.992.
Ndërkaq, në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar mbi 3,49 milionë të infektuar, ndërsa numri i personave të testuar ka arritur në mbi 83,3 milionë.
Aktualisht, shteti i Kalifornisë është më i godituri në SHBA, me 716.739 raste të konfirmuara, ndërkohë që numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në New York, me gjithsej 33.039 viktima.
Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar Brazili me 3.952.790 raste dhe India me 3.794.314.