Michael Hernandez,Betül Yürük
17 Nëntor 2017•Përditësim: 17 Nëntor 2017
WASHINGTON (AA) – Rusia ka përdorur përsëri veton e saj ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), lidhur me konfliktin sirian, duke bllokuar vazhdimin e një hetimi të OKB-së mbi përgjegjësinë për sulme kimike në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Mekanizmi i OKB-së në fund të tetorit vendosi që forcat besnike ndaj presidentit sirian, Bashar al-Asad, ishin fajtorë për një sulm me armë kimike më 4 prill, në Sirinë veriperëndimore.
Mandati i tij do të përfundojë të premten. Draft teksti i SHBA-ve kishte nevojë për nëntë vota në favor që të kalojë dhe mori 11. Por, gjithashtu kërkohej që asnjë nga pesë anëtarët e përhershëm të këshillit të mos vendosin veto, të cilën Rusia e bëri.
Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, kritikoi tekstin, duke e quajtur atë të pabalancuar dhe joreal.
Rusia ka qenë mbështetësi kryesor i Asadit në trupin ndërkombëtar dhe e ka mbështetur atë ushtarakisht në Siri me një fushatë të gjerë ajrore dhe forca tokësore.
“Duke eliminuar aftësinë tonë për të identifikuar sulmuesit, Rusia ka minuar aftësinë tonë për të parandaluar sulmet e ardhshme. Mesazhi për këdo që dëgjon është i qartë, Rusia pranon përdorimin e armëve kimike në Siri”, deklaroi Nikki Haley, e dërguara e SHBA-ve në OKB.
Dhjetëra njerëz humbën jetën në sulmin e gazit vdekjeprurës në fillim të muajit prill në Siri dhe akuzat e përsëritura të përdorimit të armëve kimike datojnë që nga viti 2013.
Rusia tërhoqi projektrezolutën e saj pasi nuk arriti të anashkalonte rregullat e këshillit. Rezolutat kanë nevojë për nëntë vota për të kaluar përmes këshillit. Më pas, Japonia shpërndau projektrezolutën e saj duke kërkuar që mekanizmi hetues të vazhdojë mandatin edhe për një muaj, por është e paqartë kur do të zhvillohet ai votim.