Mohamad Misto,Selen Temizer
27 Shkurt 2017•Përditësim: 28 Shkurt 2017
GJENEVË (AA) - Muhammed Allush, përfaqësuesi i Xhejshul Islam, një nga grupet më të mëdha ushtarake pjesëmarrëse në delegacionin opozitar në raundin e katërt të bisedimeve për Sirinë në Gjenevë, tha se Rusia dëshiron të marrë nën kontroll opozitarët, ndërsa me të dështuar në këtë qëllim, ajo shpërfill shkeljet e armëpushimit nga regjimi i Asadit.
Allush, përfaqësuesi politik i Xhejshul Islam dhe pjesëmarrës në raundin e katërt të bisedimeve mes palëve në Siri nën mbikëqyrjen e OKB-së në qytetin zviceran të Gjenevës, në një intervistë për Anadolu Agency (AA), tha se gjatë mbledhjes në Astana më 23-24 janar të kryesuar nga Turqia dhe Rusia, regjimit të Asadit i kanë prezantuar dokumente të përgatitura në mënyrë profesionale.
Allush njoftoi se dokumenti parashihte forcimin e armëpushimit, lirimin e të burgosurve dhe largimin e bllogadave dhe për të njëjtat kanë pritur përgjigje deri në takimin e dytë të Astanas, më 6 shkurt. Megjithatë, siç theksoi ai, delegacioni i regjimit është përgjigjur me një dokument tjetër.
"Rusia nuk e mbajti fjalën"
"Kur të japim një dokument, duhet diskutuar rreth tij. Nuk është e rrugës të jepet përgjigje me një dokument tjetër", tha Allush.
"Rusia e konsideroi shumë të detajuar dokumentin tonë. Thanë se do ta shqyrtojnë në mënyrë shumë të detajuar brenda dy ditësh në Ankara. Megjithatë, deri më tani nuk ka patur përgjigje. Në raundin e dytë në Astana, nuk deshëm të marrim pjesë në seancën e fundit. Me këtë, Rusia na e dha fjalën se do të ndalen bombardimet. Gjatë këtij premtimi dëshmitar ishte edhe zëvendës ministri i Jashtëm i Kazakistanit. Por, Rusia nuk e mbajti fjalën", tha Allush.
Ai po ashtu njoftoi se në Astana delegacionit rus i kanë prezantuar punim në lidhje me mekanizmin për monitorimin e armëpushimit, megjithatë kanë marrë përgjigjen se i njëjti ka qenë "në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare".
"Pyetëm pse është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Megjithatë, nuk morëm përgjigje. Ata na thanë se regjimi i ka refuzuar disa pika, ndërsa ne propozuam që të fillojmë nga pikat të cilat i ka pranuar. As për këtë nuk na dhanë përgjigje. Dokumentin tonë në Astana ne ia përcollëm edhe OKB-së dhe delegacioneve të shteteve të tjera", vazhdoi Allush.
"Regjimi ka luajtur teatër në Humus"
I pyetur se cila është strategjia e Rusisë, Allush u përgjigj: "Ose nuk mund të ndikojë te regjimi dhe Irani, ose dëshiron të arrijë disa synime politike. Me të parë se nuk munden të na shfrytëzojnë, regjimit sërish ia ndezën 'dritën jeshile'. Ashtu siç e ka marrë nën kontroll regjimin, njashtu dëshiron t'i marrë nën kontroll edhe opozitarët".
Allush u shpreh se regjimi nuk dëshiron armëpushim. "Ai ushqehet me gjak. Nëse ka armëpushim, regjimi vdes", thotë Allush, duke vënë në pah se Asadi nuk ka treguar qasje serioze në negociata.
"Madje (regjimi, gjatë negociatave), kryen sulme terroriste ndaj vetes. Me këtë dëshiron që botës t'ia imponojë pikëpamjen e vet në lidhje me terrorin. Shembull i kësaj është teatri që ai luajti në Humus. Beshar Xhaferi u gëzua nga sulmi në Humus dhe tha të dënohet terrori. Në kohën teksa Xhaferi po kërkonte dënimin e terrorit, në Siri regjimi vriste civilë. Masakrimi i civilëve, burgosja e mijëra grave, shënjestrimi i njerëzve me armë kimike, dëbimi i miliona njerëzve, a nuk janë terror? Regjimi është bashkëpunëtori më i madh i DEASH-it. DEASH-i është ai që më së shumti mbështet regjimin. Rusisë i kemi thënë se kemi prova për bashkëpunimin mes regjimit dhe DEASH-it, ndërsa rusët na thanë se 'po, e dimë'", tha ai.
Duke tërhequr vëmendjen drejt prezencës së milicëve shiitë në Siri, Allush thotë se "Hezbollahu i Libanit dhe Hezbollahu i Irakut - Lëvizja El Nuxheba, Zejnebijjun, Fatimijjun, çfarë bëjnë këto në Siri. Këto janë terroristë. Duhet të dalin sa më parë. Është e pakuptimtë të detyrohet vetëm një grup (Fronti Nusra) të dalë".
I pyetur se kur do të jetë e mirë e ardhmja e Sirisë, Allush u përgjigj se "E ardhmja e Sirisë bëhet e mirë vetëm nëse largohet Bashar al-Asadi. Në të kundërtën, është e pamundur të jetë mirë".