Aliia Raimbekova
27 Shkurt 2017•Përditësim: 27 Shkurt 2017
ASTANA (AA) – Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti për një vizitë zyrtare në Kazakistan dhe me këtë rast ka falënderuar udhëheqjen e vendit për organizimin e mirë të procesit të negociatave për krizën siriane në Astana, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Kazakistanit Nursultan Nazarbayev me nderime më të larta ka pritur presidentin rus Vladimir Putin, dhe pas ceremonisë u organizua edhe takimi i tyre i zgjeruar mes delegacioneve të të dyja vendeve.
Nikoqiri i takimit Nazarbajev tha se kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar një numër çështjesh dypalëshe dhe rajonale, me theks të veçantë në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh ekonomik për zgjidhjen e krizës siriane.
"Me bashkëpunim intensiv kemi krijuar Unionin Ekonomik të Euroazisë, i cili është i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Në Kazakistan aktualisht veprojnë mbi 7.000 kompani me kapital rus dhe në kuadër të Unionit janë nënshkruar 41 marrëveshje me vlerë prej tre miliardë dollarë amerikanë", ka thënë Nazarbayev.
Duke theksuar se Rusia është aktive në zgjidhjen e një sërë çështjesh rajonale dhe globale, Nazarbayev tha se pozicioni i Kazakistanit për çështjen siriane është i njëjtë dhe se e konsideron të rëndësishëm takimin që kohëve të fundit u mbajt në Astana.
Po ashtu edhe presidenti rus Putin tha se takimi në Astana ka sjellur rezultate të rëndësishme për zgjidhjen e krizës siriane.
"Kazakistani është partner i rëndësishëm ekonomik i Rusisë dhe ne duam të përmirësojmë edhe më tej këto marrëdhënie dhe të rrisim tregtinë", tha Putin.
Presidenti i Rusisë në vazhdim të turneut të tij në Azinë Qendrore do të vizitojë Kirgistanin dhe Uzbekistanin.