Rusia dënon sulmet e SHBA-së ndaj objektivave bërthamore të Iranit
Duke theksuar se nisja e sulmeve nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është “veçanërisht alarmante”, ministria ruse tha se pasojat e sulmeve ende nuk janë vlerësuar

Stamboll
Rusia ka dënuar sulmet ajrore të SHBA-së ndaj tre lokacioneve bërthamore iraniane, transmeton Anadolu.
“Vendimi i papërgjegjshëm për ta nënshtruar territorin e një shteti sovran ndaj sulmeve me raketa dhe bomba, pavarësisht argumenteve të përdorura, është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së, të cilat më parë i kanë klasifikuar në mënyrë të qartë veprime të tilla si të papranueshme”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë.
Duke theksuar se nisja e sulmeve nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është “veçanërisht alarmante”, ministria ruse tha se pasojat e sulmeve ende nuk janë vlerësuar.
“Por është tashmë e qartë se ka filluar një përshkallëzim i rrezikshëm, i mbushur me dëmtim të mëtejshëm të sigurisë rajonale dhe globale. Rreziku i një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme, tashmë të përfshirë në kriza të shumta, është rritur ndjeshëm”, theksohet më tej.
Ministria ruse gjithashtu tha se sulmet kanë shkaktuar dëme “të mëdha” në autoritetin e Traktatit për Mos Përhapjen Bërthamore dhe në sistemin e verifikimit dhe monitorimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
“Ne presim një përgjigje të shpejtë, profesionale dhe të qartë nga udhëheqja e agjencisë, pa fraza evazive dhe përpjekje për t'u fshehur pas 'ekuidistancës' politike. Një raport objektiv nga drejtori i përgjithshëm i IAEA-së është i nevojshëm për t'u shqyrtuar në një seancë të posaçme të agjencisë, e cila është planifikuar të zhvillohet në të ardhmen shumë të afërt”, tha ministria.
Ajo gjithashtu tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të përgjigjet, duke theksuar nevojën për të refuzuar kolektivisht veprimet “konfrontuese” të SHBA-së dhe Izraelit.
“Ne bëjmë thirrje për t’i dhënë fund agresionit dhe për të rritur përpjekjet për të krijuar kushte për kthimin e situatës në një kanal politik dhe diplomatik”, theksoi ministria.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, herët në mëngjes njoftoi se forcat amerikane kryen sulme ajrore "shumë të suksesshme" në tre lokacione bërthamore iraniane, mes frikës në rritje të një konflikti më të gjerë në rajon.
Pas sulmeve të SHBA-së, Irani i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajë një takim urgjent për të dënuar agresionin e SHBA-së dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që shkelin të drejtën ndërkombëtare.
Armiqësitë shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.
Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas autoriteteve iraniane, të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë plagosur në sulmet izraelite në Iran.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.