Ethem Emre Özcan
08 Prill 2021•Përditësim: 08 Prill 2021
Regjimi i Bashar Al-Assadit pretendon se Izraeli ka kryer sulm ajror ndaj disa pikave ushtarake në kryeqytetin e Sirisë, Damask, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia e lajmeve SANA e regjimit të Assadit, në lajmin e saj të cilin e bazon mbi burime ushtarake, pretendon se në orën 00:56 sipas kohës lokale, Izraeli nga drejtimi i Libanit ka kryer sulm ajror ndaj disa pikave të forcave të regjimit përreth qendrës së Damaskut.
"Sistemet tona ajrore përballuan raketat e armikut dhe rrëzuan shumicën e tyre", thuhet në lajmin e agjencisë SANA në të cilin theksohet se në sulm janë plagosur 4 ushtarë të regjimit dhe se janë shkaktuar dëme materiale.
Në Damask krahas ushtrisë së regjimit ndodhen edhe pika ushtarake që u përkasin grupeve të huaja terroriste nën urdhrin e Gardës Revolucionare të Iranit.
Regjimi i Assadit pretendon se Izraeli ka kryer sulme ajrore më 15 dhe 28 shkurt si dhe më 16 mars në Damask, më 4 shkurt në rajonin Quneitra në jug të vendit, më 13 janar në Deir ez-Zor në lindje të Sirisë, më 7 janar në jug të Damaskut, më 30 dhjetor 2020 në rajonin Nebi Habil në periferinë perëndimore të Damaskut.