Ekip
30 Dhjetor 2021•Përditësim: 31 Dhjetor 2021
Disa tubime protestuese u zhvilluan sot në zona të ndryshme anembanë Sudanit, duke përfshirë kryeqytetin e tij Kartum, për të kërkuar rivendosjen e sundimit civil, raporton Anadolu Agency (AA).
Tubimet u zhvilluan në disa zona në Kartum, Kasala dhe Port Sudan në lindje të vendit, si dhe në qytetin verior Atbara, sipas korrespondentit të AA-së në terren.
Gjatë tubimeve, protestuesit bënë thirrje për sundim civil demokratik dhe dënuan marrëveshjen e fundit politike midis ushtrisë dhe kryeministrit Abdalla Hamdok.
Shërbimet e internetit sot nuk funksionuan në kryeqytet dhe zona të tjera përpara demonstratave, pasi ofruesit ndërprenë shërbimet celulare, kurse vetëm lidhjet fikse ishin në dispozicion.
As autoritetet, as ofruesit e internetit nuk kanë komentuar deri më tani lidhur me këtë çështje.
Të mërkurën, autoritetet e sigurisë mbyllën ura të shumta dhe rrugë tokësore, duke instaluar barriera betoni dhe tela me gjemba në rrugët që çojnë në pallatin presidencial.
Thirrjet për protestë u bënë nga Shoqata e Profesionistëve Sudanezë, e cila hodhi poshtë marrëveshjen e nënshkruar muajin e kaluar dhe bëri thirrje për sundim të plotë civil.
Sudani ka qenë në trazira që nga 25 tetori kur ushtria sudaneze shkarkoi qeverinë kalimtare të Hamdokut dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Hamdok, megjithatë, u rikthye në detyrë më 21 nëntor sipas një marrëveshjeje me shefin e ushtrisë Abdel Fattah Al-Burhan, hap që u refuzua nga forcat politike dhe civile sudaneze si një “përpjekje për të legjitimuar grushtin e shtetit”.
Të shtunën, mijëra protestues dolën në rrugë në Kartum dhe qytete të tjera për të nxitur sundimin e plotë civil në vendin e Afrikës Veriore.
Përpara marrjes së pushtetit nga ushtria më 25 tetor, Sudani administrohej nga një këshill sovran zyrtarësh ushtarakë dhe civilë që mbikëqyrnin periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet e vitit 2023, si pjesë e një pakti të pasigurt për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe koalicionit Forcat e Lirisë dhe Ndryshimit.