Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
03 Mars 2020•Përditësim: 04 Mars 2020
Një kameraman i Anadolu Agency (AA) u plagos sot në Kili gjatë përleshjeve midis policisë dhe demonstruesve, të cilët kanë zhvilluar tubime antiqeveritare gjatë disa muajve të fundit.
Yusuf Can Sarikaya u plagos në gjoks kur një plumb gome i shkrepur nga policia e goditi atë në sheshin "Italia" përderisa mbulonte protestat në kryeqytetin e Kilit, Santiago, ndërsa ndihma e parë iu ofrua në vendin e ngjarjes.
Policia u përlesh me demonstruesit që u mblodhën për protesta antiqeveritare në Santiago dhe pjesë të ndryshme të vendit.
Në kryeqytet, policia përdori plumba gome, gaz lotsjellës dhe topa të ujit për të shpërndarë protestuesit rreth sheshit "Italia".
Protestat, të cilat filluan si reagim ndaj rritjes së tarifave të transportit prej 4 për qind, vendim i cili tanimë është pezulluar, u shndërruan në protesta të dhunshme më 19 tetor, me të paktën 23 persona të vrarë.
Sipas Institutit Kombëtar të të Drejtave të Njeriut, më shumë se 6.000 persona janë arrestuar dhe 2.400 të tjerë janë plagosur gjatë muajit të kaluar, përfshirë edhe 241 persona të lënduar në sy.