Ekip
06 Prill 2022•Përditësim: 07 Prill 2022
Papa Françesku ka dënuar "mizoritë e tmerrshme" në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Gjithnjë e më shumë mizori të tmerrshme (po ndodhin), madje edhe kundër civilëve, grave dhe fëmijëve të pafuqishëm. Ata janë viktima, gjaku i pafajshëm i të cilëve bërtet në qiell dhe lutet", tha Papa Françesku gjatë audiencës së tij javore në Vatikan.
"Le të pushojë kjo luftë. Le të heshtin armët. Ndaloni me shkaktimin e vdekjes dhe shkatërrimit", shtoi ai.
Gjatë audiencës, Papa Françesku shfaqi një flamur ukrainas të cilin ai tha se e mori dje nga Bucha. Ai tha se "erdhi nga lufta, nga ai qytet i martirizuar".
Vatikani ka ofruar të ndërmjetësuar në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa Papa Françesku në fundjavë tha se po shqyrton një ftesë ukrainase për të shkuar në Kiev, por siç tha ai, "nuk e di nëse mund të realizohet".
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Moska janë përballur me kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar pasi Ukraina akuzoi forcat ruse për kryerje të "gjenocidit" dhe "krimeve të luftës" në Bucha, një qytet afër kryeqytetit Kiev.
Rusia i ka mohuar akuzat duke i quajtur "sulm të lajmeve të rreme", duke argumentuar se imazhet e trupave të vdekur dhe pamjet e civilëve të vrarë që kanë shkaktuar zemërim global janë inskenuar pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti.