Gökhan Ergöçün
06 Prill 2022•Përditësim: 06 Prill 2022
Kompania 'Intel Corporation' ka njoftuar pezullimin e operacioneve të saj të biznesit në Rusi, duke iu bashkuar një numri në rritje të kompanive perëndimore që janë larguar nga vendi për shkak të luftës kundër Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Prodhuesi amerikan i çipave tha se që nga fillimi i muajit mars ndaloi shitjet dhe dërgesat në Rusi dhe Bjellorusi.
“Intel i bashkohet komunitetit global në dënimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe bën thirrje për paqe sa më të shpejtë”, theksoi kompania.
Ajo po ashtu tha se po përpiqet të mbështesë të gjithë punonjësit e saj, përfshirë 1.200 punonjësit në Rusi.
'Intel Corporation' është një korporatë shumëkombëshe amerikane dhe kompani teknologjike me qendër në Santa Clara të Kalifornisë dhe është prodhuesi më i madh në botë i çipave gjysmëpërçues për sa i përket të ardhurave.